2010-10-21 15:38:04

Papa Benedikti XVI ambasadorit të ri të Koresë: Vlerat e krishtera janë garanci drejtësie dhe solidariteti shoqëror.


(21.10.2010 RV)Një vend që luan rol me peshë në drejtëpeshimin politik në zonën Azi - oqean Paqësor. Një vend i aftë për rritje ekonomike por që ka rëndësi edhe në fushën e solidaritetit. Benedikti XVI lavdëroi Republikën e Koresë duke pritur sot paradite ambasadorin e ri të këtij vendi Han Hong-soon pranë Selisë së Shenjtë për paraqitjen e letrave kredenciale. Diplomati shprehu në emër të vendit të tij dëshirën që Ati i Shenjtë të zhvillojë një vizitë në Kore.
Korea ka 50 milionë banorë që e kanë shndërruar vendin e tyre nga një vend që merrte ndihma ekonomike në një vend që i jep ato. Pikërisht nga ky fakt u nis edhe reflektimi i Benediktit XVI në audiencën rezervuar ambasadorit të ri të Koresë. Një përparim i tillë, tha mes tjerash Papa, “do të ishte i pakonceptueshëm pa një shkallë të zhvillimit të ndjeshëm industrial dhe pa zemërgjerësinë e popullit korean.” Më tej, sidoqoftë, Papa Racinger vuri në dukje se zhvillimi ekonomik sjell edhe rreziqe:

“Ekzistojnë rreziqe tek zhvillimi i vrullshëm ekonomik që fatkeqësisht mund t’a mashtrojnë lehtësisht çdo vlerësim me karakter etik, dhe si pasojë shfaqen prirje që individët më të varfër të shoqërisë të përjashtohen nga hisja e pacënueshme që kanë në zhvillimin e kombit. Kriza ekonomike e viteve të fundit e ka përkeqësuar këtë çështje, por edhe e ka përqendruar vëmendjen tek nevoja për t’i përtërirë bazat etike të çdo aktiviteti ekonomik dhe politik.”

Duke i dhënë zemër qeverisë së Seulit “të garantojë që drejtësia shoqërore dhe kujdesi për të mirën e përbashkët të rriten bashkë me përparimin material”, Papa Racinger kaloi nga situata e brendshme tek ajo ndërkombëtare, duke shprehur vlerësimin e Selisë së Shenjtë për “rolin aktiv që luan Republika e Koresë” në atë zonë gjeografike:
 
Duke promovuar paqen dhe stabilitetin në gadishull, ashtu sikurse edhe sigurinë e integrimin ekonomik të kombeve në të gjithë zonën e Azisë dhe të Paqësorit, nëpërmjet lidhjeve të gjera diplomatike me vendet afrikane, në veçanti nëpërmjet organizimit të Takimit të ardhshëm të G20 në Seul, qeveria koreane po jep prova të mjaftueshme të rolit të saj si një faktor i rëndësishëm në skenën botërore, dhe po garanton se procesi i globalizimit do të drejtohet nga ndjenja e solidaritetit dhe e vëllazërisë.”

Më tej Papa Benedikti XVI u ndal tek marrëdhëniet ekzistuese të “bashkëpunimit të frytshëm” ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe autoriteteve koreane, si edhe tek kontributi që jep Kisha Katolike në këtë vend aziatik në fushën e arsimimit dhe edukimit të të rinjve, në asistencën për të varfërit dhe të punëtorëve emigrantë, në mbrojtje të jetës dhe të familjes. Në fund Papa kujtoi edhe Kongresin e katolikëve laikë aziatikë që u zhvillua në Seul në shtator. Pikërisht laikët koreanë – vuri në dukje Ati i Shenjtë Racinger, ashtu siç theksoi edhe vetë ambasadori korean në fjalën e tij përshëndetëse – e kumtuan të parët Ungjillin në vend dhe shumë prej tyre e paguan besimin në Zotin duke vdekur si martirë. Kam besim se kjo dëshmi, përfundoi Benedikti XVI do të bëjë që vlerat e krishtera të drejtësisë dhe të solidaritetit të përshkojnë gjithnjë e më tepër jetën publike koreane.







All the contents on this site are copyrighted ©.