2010-10-20 18:12:54

Papa në audiencën e përgjithshme: të ushtrosh autoritet do të thotë t’i shërbesh drejtësisë dhe së mirës së përbashkët.


(20.10.2010 RV)Të kryesh një detyrë me rëndësi, do të thotë t’i shërbesh drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Feja e dashuria për Zotin dhe të afërmin, e bëjnë më të fortë martesën. Janë këto, dy mësimet, që u dha sot besimtarëve Benedikti XVI, duke folur për jetën e Shën Elizabetës së Hungarisë, mbretëreshë, që jetoi në fillimet e njëmijë e dyqindës, së cilës ia kushtoi katekizmin e sotëm, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë, Elizabeta dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve.

“Mbretëresha e vuri kurorën, simbolin e pushtetit mbretëror, tek këmbët e Kryqit, ku u kryqëzua Krishti, Mbreti i kurorëzuar me gjemba, duke kaluar shumë kohë e gjunjëzuar përdhe. Deri në këtë pikë arriti përvujtëria e Elizabetës së Hungarisë, mbretëreshës së Turingjisë, feja e së cilës e shkandullonte oborrin mbretëror”. Për të u foli sot besimtarëve Benedikti XVI, duke përshkruar shkurtimisht çastet kryesore të jetës së sundimtares mesjetare e duke vënë, sidomos, në dukje, lirinë e madhe të ndërgjegjes me të cilën i jetonte bindjet e saj fetare, pa marrë fare parasysh se i kundërviheshin normave që ia impononte protokolli e rangu:
Elizabeta u bë, prandaj, objekt kritikash, të pëshpëritura me zë të ultë, sepse mënyra si sillej, nuk përkonte fare me jetën e oborrit mbretëror. Edhe martesa e saj nuk qe madhështore e shpenzimet, që do të bëheshin për dasmë, iu shpërndanë pjesërisht të varfërve. Tejet e ndjeshme, Elizabeta shikonte kundërvënie ndërmjet shpalljes së fesë dhe jetës së krishterë. E nuk mund t’i duronte fare kompromiset”.
Ashtu si sillej para Zotit, sillej edhe para nënshtetasve. Nuk kishte dy mënyra sjelljeje: një në Kishë e një tjetër, mbi fronin e mbretëreshës. Ajo ishte e krishterë, si kur gjunjëzohej përdhe, para të Kryqëzuarit, ashtu edhe kur lartohej mbi fron, përballë oborrtarëve. Për ta konkretizuar këtë mënyrë jetese, Papa citoi një shkrim të zonjave, që e shoqëronin mbretëreshën:
“Nuk hante asnjë ushqim, po të mos ishte e sigurtë se vinte nga pronat e nga pasuritë e ligjshme të bashkëshortit. E jo vetëm që hiqte dorë nga pasuritë e siguruara në mënyrë të paligjshme, por përpiqej edhe t’i shpërblente njerëzit, që kishin pësuar dhunë. Një shembull i vërtetë për të gjithë ata, që luajnë role udhëheqëse: kryerja e një detyre të lartë, në çdo nivel, duhet jetuar si shërbim që i bëhet drejtësisë e dashurisë, në kërkim të përhershëm të së mirës së përbashkët”.
Është e natyrshme që përkrah një gruaje, e cila kryente vepra të tilla mëshire, që ua ndante me dorë të vet ushqimet të varfërve, që kujdesej personalisht për veshjet e tyre, të ishte një burrë, i cili përkonte plotësisht me të. Atyre, që e kritikonin për sjelljen e së shoqes, Ludoviku u përgjigjej: “Përderisa të mos ma shesë edhe kështjellën, unë jam i kënaqur me sjelljen e saj”:
“Elizabeta e ndihmonte bashkëshortin t’i lartonte cilësitë e veta njerëzore, në sfera të mbinatyrshme, e ai ia kthente duke e mbrojtur në veprimtarinë e saj bujare për të varfërit e në praktikimin e fesë. Gjithnjë më i pushtuar nga admirimi për fenë e jashtëzakonshme të shoqes së jetës, një ditë Ludoviku, duke vërejtur kujdesin e mbretëreshës për të varfërit, i tha: “E dashur Elizabetë, është Krishti ai që lave, që ushqeve, që deshe”. Dëshmi e qartë kjo, për të treguar sesi feja e dashuria për Zotin e për të afërmin e forcojnë jetën familjare, duke e thelluar edhe më shumë bashkimin martesor”.
Kur i shoqi vdiq, në vitin 1227, pak para se të nisej për në kryqëzatë, mbretëresha e re e ndjeu veten tejet të poshtëruar e mundi të dalë nga kjo gjendje vetëm falë lutjes. U detyrua të përballonte një provë të re, kur i kunati i rrëmbeu padrejtësisht fronin, duke e dëbuar nga kështjella, së bashku me të tre fëmijët, pa pasur asnjë vend ku të strehohej. E megjithatë ajo nuk ra kurrë në dëshpërim. Shpërvoli mëngët e nisi të punonte atje, ku gjente punë, të ndihmonte të sëmurët, të endte pëlhurë e të gatuante. E kështu, derisa gjendja e saj u përmirësua e Elizabeta dha provën e fundme të fisnikërisë së shpirtit të saj të madh, duke ndërtuar një spital e duke iu kushtuar deri në fund të fundit kujdesit për të sëmurët:
“Të dashur vëllezër e motra, në figurën e Shën Elizabetës shikojmë sesi feja e miqësia me Krishtin të ndihmojnë të kuptosh ç’është drejtësia, barazia, të drejtat e të tjerëve e krijojnë dashuri, bamirësi. Nga kjo dashuri lind edhe shpresa, siguria se Krishti na do, se dashuria e Tij na pret, e kështu bëhemi të aftë për t’i ngjarë Krishtit e për ta parë në fytyrën e të tjerëve”.
Në çastin e përshëndetjeve përfundimtare, Papa iu drejtua posaçërisht Motrave katekiste të Zemrës së Krishtit, pjesëmarrëse në shtegtimin me rastin e shenjtërimit të Shën Gjulia Salcanos.
Më pas, duke përshëndetur të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, Benedikti XVI vuri theksin mbi bashkëpunimin misionar, në qendër të vëmendjes së Kishës gjatë muajit tetor: “Uroj që, me energjitë e freskëta të rinisë, me forcën e lutjes e të flijimit e me frymëzimin, që buron nga martesa, u tha Papa, të jeni misionarë të Ungjillit e t’u jepni, kështu, ndihmën tuaj konkrete atyre, që nuk e kanë të lehtë ta jetojnë jetën bashkëshortore, ose që nuk e njohin fare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.