2010-10-20 18:40:53

Kosovë: BE-ja, dialogu Prishtinë-Beograd të fillojë brenda javësh


Insistimi i kryeministrit Hashim Thaçi, që nisjen e dialogut me Serbinë ta lidhë me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nuk ka gjetur mbështetjen e BE-së, bën të ditur sot “Koha Ditore”.
Bashkimi Evropian, dhe prania e tij në Kosovë, po kërkojnë që dialogu mes Prishtinës dhe Serbisë të fillojë “brenda javësh”, ndërkaq që koha e mbajtjes së zgjedhjeve të bazohet mbi parimin e organizimit sa më kualitativ të tyre.
Në gjithë këtë situatë, mesazhet që po i merr Zyra e kryeministrit kosovar Thaçi nga Brukseli dhe ato nga pranitë e BE-së në Kosovë, sipas burimeve ndërkombëtare, nuk kanë përmbajtje identike.
Përderisa Brukseli është i përqendruar në nisjen e dialogut Prishtinë - Beograd dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve që të mos lidhet me dialogun, zyrtarë nga prania e BE-së në Kosovë, po kërkojnë që të mos ngutet me zgjedhje në dhjetor, ashtu siç do PDK-ja, por të kihet parasysh organizimi sa më i mirë i procesit elektoral.
Burime nga Brukseli i kanë thënë gazetës Koha Ditore se Bashkimi Evropian është duke i vëzhguar me vëmendje zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovë, por nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar rreth zgjedhjeve të shpallura më 13 shkurt, apo mundësisë që ato të zhvillohen edhe më herët.
Ajo që kanë bërë të qartë zyrtarët e BE-së është se u intereson më shumë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë sesa zhvillimet e brendshme në Kosovë. Prandaj, edhe interesi për zhvillimet e brendshme në Kosovë lidhet me ndikimin që këto zhvillime mund të kenë në nisjen e dialogut.
Burime nga BE-ja në Bruksel i kanë thënë “Kohës Ditore” se sipas mendimit të tyre, “nisja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën organizimin e BE-së, nuk mund të presë deri në muajin shkurt të vitit që vjen“, datë kur aktualisht Kosova i ka të shpallura zgjedhjet.
“Dialogu duhet të nisë sa më parë që të jetë e mundur. Por në të njëjtën kohë ai dialog duhet të jetë edhe i përgatitur mirë”, kanë thënë këto burime.
BE-ja gëzohej se ka arritur „sukses historik“ me marrëveshjen me Serbinë rreth Rezolutës në OKB, dhe se ka mbështetje të plotë nga “dy liderët kyç në Serbi dhe në Kosovë-presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi”. Të dy këta liderë konsideroheshin në atë kohë jo të largët si “liderë të pakontestuar dhe të fuqishëm, që kanë fuqi të marrin vendime të rënda”. Situata e re politike në Kosovë ka sjellë ndryshimin e rrethanave dhe nuk dihet nëse Thaçi tash është i gatshëm të hyjë në dialog me Beogradin, pa mbështetjen e tërë spektrit politik.
Për të evituar situatën në të cilën Prishtina do të refuzonte pjesëmarrje në dialog, për shkak të fushatës zgjedhore, në BE po punojnë në drejtim të caktimit të temave jopolitike, shumë të ndjeshme për njerëzit, me të cilat do të niste dialogu dhe pjesëmarrjen nuk do të mund ta refuzonte asnjëra palë.
Prandaj edhe flitet për temat, si: „çështja e të zhdukurve“ apo „lëvizja e qytetarëve“, si tema me të cilat, në nivel ekspertësh, do të mund të niste dialogu, brenda këtij viti.
Për qëndrime më të qarta të BE-së rreth zgjedhjeve dhe nisjes së dialogut në Bruksel pritet kthimi i Robert Cooper, drejtorit të përgjithshëm në Këshillin e BE-së, nga rajoni. Cooper, që është personi kryesor për organizimin e dialogut Kosovë-Serbi në kabinetin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka qëndruar në Prishtinë dhe në Beograd në dy ditët e fundit për të matur pulsin e të dyja palëve rreth nisjes së dialogut dhe për të parë sesa po ndikojnë zgjedhjet e paralajmëruara në Kosovë për përgatitjen e dialogut.
Vetëm para disa javësh, një zyrtar i lartë i BE-së i inkuadruar në përgatitjen për nisjen e dialogut, pati thënë: “Duhet shfrytëzuar rastin që sa më shpejt të nisë dialogu, sepse edhe në Beograd, edhe në Prishtinë kemi udhëheqësit më të mirë që është e mundur t’i kemi për kompromise në dialog.”
Sa u përket zgjedhjeve, në Bruksel nuk prononcohen formalisht, sepse dëshirojnë të lënë përshtypjen se ato janë zhvillime të brendshme dhe pjesë e një procesi normal politik. Nga interesimi i BE-së, që dialogu të nisë sa më shpejt, ka lindur edhe interpretimi se BE-ja do të mbështeste idenë që zgjedhjet të zhvilloheshin sa më herët që të jetë e mundshme.
“Nëse duhet pritur zgjedhjet, atëherë për dialogun do të ishte më mirë që ato të zhvillohen sa më herët“, i ka thënë “Kohës Ditore” një diplomat i BE-së, i cili në pyetjen se „a duhet sakrifikuar për shkak të shpejtësisë kualitetin e procesit zgjedhor“, ka mbetur pa përgjigje, duke e bartur përgjegjësinë për kualitetin e zgjedhjeve te vetë kosovarët dhe praninë ndërkombëtare në terren.







All the contents on this site are copyrighted ©.