Enciklika e Piut XII për dinjitetin e njeriut e kundër luftës ‘Summi Pontificatus’,
botuar 71 vjet më parë.
(20.10.2010 RV) Si sot, më 20 tetor 1939, Papa Piu XII nënshkruante enciklikën e tij
të parë, 'Summi Pontificatus'. Eugjenio Paçelli ishte zgjedhur në Katedrën
e Pjetrit vetëm prej disa muajsh e, prej disa javësh, me pushtimin nazist të Polonisë,
kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore. Një pjesë të rëndësishme të kësaj Enciklike
programatike, Papa Piu XII ia kushton pikërisht temës së paqes e kundërvënies ndërmjet
Krishterimit e totalitarizmit. Mbi këtë dokument, që edhe 71 vjet pas botimit
mbetet jashtëzakonisht aktual, flet historiani nga Universiteti romak “La Sapienza”
Françesko Malgjeri..... “Shpërthimi i luftës, e i kësaj lufte, që ishte
luftë e lidhur me një vizion ideologjik, e bënë Papën të ndërhyjë me këtë enciklikë
në të cilën, në një farë mënyre, ideja e paqes është e lidhur edhe me refuzimin e
idesë së totalitarizmave e saktësisht me idenë - tha atëherë Papa Piu XII - “e një
botëkuptimi, që i jep Shtetit autoritet të pakufizuar”. E prandaj, pikërisht këtë
vizion të totalitarizmit në Evropë e gjykon si element, që favorizonte konfliktet.
Çështja ishte sidomos ajo e ripohimit të të drejtave të njerëzve, ajo e nevojës së
një marrëveshje dhe të një bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve”.
Në
realitet, në enciklikën “Summi Pontificatus”, Papa nënvizon këtë kundërvënie ndërmjet
qytetërimit të dashurisë - qytetërimit të krishterë - dhe dhunës ideologjike të totalitarizmave...
“Arsyeja
që do të përsëritet edhe në dokumentet e mëvonshme të këtij pape - posaçërisht mendoj
për radiomesazhet e tij për Krishtlindje, duke u nisur nga viti 1939 deri në vitin
1942, ku përvijohet plani i një bashkësie ndërkombëtare të frymëzuar pikërisht nga
respektimi i drejtësisë, i së drejtës; mendoj për radiomesazhin, siç ishte edhe ai
i vitit 1944, në të cilin kemi një thirrje të saktë mbi vlerën e demokracisë si një
sistem i frymëzuar edhe nga vizioni i krishterë, i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve
e ndërmjet popujve”. Kujtojmë se kjo enciklikë e Papës Piut XII, do të përdoret,
ripohohet, aktualizohet edhe në magjisterin e papëve të mëvonshëm, nga Gjoni i XXIII
deri tek Benedikti XVI.