2010-10-19 06:33:06

Përvjetori i lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan


Sot me 19 tetor kujtojmë përvjetorin e shtatë të lumturimit të Nënës sonë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan nga Papa Gjon Pali II.
Me 19 tetor 2003, shtatë vjet më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës katolike që e lartonte Nënë Terezën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e elterit. Ta dëgjojmë çastin kulmor, shqiptimin e FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:RealAudioMP3
“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Sot me 19 tetor, pra, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli pranë Hyjit Atë, ndërsa vijon të na kujtojë se:
“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu siç është Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.
Ja çka shkruhet në motivacionin e lumnimit të Gonxha Bojaxhit:
"Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar". Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe fakti se Nënë Tereza gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes - pati thënë Gjon Pali II.
Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar në Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin e ta ndjekim shembullin e saj”. Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore, mjete paqeje e pajtimi, vegla bamirësie e shprese, ndërtues të qytetërimit të bazuar mbi vlera që nuk perëndojnë kurrë, sipas shembullit të Bijës, Motrës e Nënës sonë Terezë Gonxhe Bojaxhiut.

Nënë Tereza, Bija më e madhe të popullit shqiptar, na la trashëgim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfrit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".







All the contents on this site are copyrighted ©.