2010-10-19 15:38:09

Paqja dhe Lindja e Mesme, një binom që nuk duhet të dështojë


(19.10.2010 RV)RealAudioMP3 Punimet e Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme u zhvilluan sot me dyer të mbyllura. Po përgatiten Porpozimet përfundimtare. Paradite, një delegacion i Sinodit mori pjesë në konferencën me titull “Lindja e Mesme. Dëshmia e krishterë në shërbim të paqes”, organizuar nga komuna e Romës, sëbashku me lëvizjen “Bashkim e Çlirim” dhe me Radio Vatikanin.
Paqja në Lindjen e Mesme është shpresë për gjithë popujt e botës. Ky ishte boshti i diskutimeve në konferencë sëbashku me rëndësinë e pranisë së krishterë në Tokën Shenjte. Të dëgjojmë kryetarin e bashkisë së Romës, Xhani Alemano:
“Vlerat e krishterimit mund të jenë pa dyshim ilaçi më i mirë që në zgjidhjen e konfliktit, në arritjen e paqes e të drejtësisë të mos mbetet barra e tensioneve, zemërimeve, inateve, armiqësisë, të cilat lindin nga urrejtja e grumbulluar për vite me radhë”.
I bëri jehonë Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, që kujtoi se paqja është dhuratë e Zotit e se çdo anëtar i Kishës është i thirrur të kontribuojë në arritjen e saj:
“Kjo thirrje ka edhe një përmasë të rëndësishme shoqërore, që mund ta këpusë rrethin vicioz të dhunës, të hakmarrjes e të urrejtjes si edhe të përgatisë zemrat për kërkimin e paqes së vërtetë, në pajtim e në drejtësi”.
Vazhdoi drejtori i përgjithshëm i radios sonë dhe zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili vuri në dukje rolin thelbësor të mas mediave, që të krishterët e Lindjes së Mesme të përceptojnë solidaritetin e bashkësisë ndërkombëtare, si në nivelin shoqëror, ashtu edhe në atë politik. Atë Lombardi nënvizoi kërkesën më të madhe, që ndjehet në Sinod:
“Solidarizimi në reflektimin mbi domethënien e vërtetë, mbi vendin e vërtetë që zë sot, në Lindjen e Mesme e në të gjitha vendet e botës, liria fetare, liria e ndërgjegjes, e drejta e plotë për të ndërtuar bashkësitë shoqërore e politike, secili në vendin ku jeton. Thellimi i këtyre temave në mënyrë premtuese për të ardhmen, pikërisht për t’i përhapur e për t’i bërë të gjithë të vetëdijshëm, për të mirën e të krishterëve në Lindjen e Mesme”.
Dramatike, ndërkaq, faqja e paraqitur nga Ministri i jashtëm italian, Franko Fratini. Ndër 100 viktima të intolerancës fetare në botë, deklaroi ai, 75 janë të krishterë. Gjendja është alarmuese:
“Kristianofobia sot është rrezik në rritje e shumë më konkrete se më parë. Në shumë kontekste, bashkësitë e krishtera jetojnë në kushte izolimi dhe përjashtimi, megjithëse gjatë historisë, kanë qenë qendra të rrezatimit të krishterimit, edhe shumë më parë se të vinte islamizmi”.
Ministri Fratini kujtoi edhe propozimin për të paraqitur në OKB, një rezolutë për mbrojtjen e pakicave dhe të lirive fetare. Në këtë kontekst, sfida e vërtetë e krishterimit është të tregojë rëndësinë e tij antropologjike. Të dëgjojmë Don Juliàn Carròn, president i Lëvizjes “Bashkim e Çlirim”:
“Në Lindjen e Mesme të martirizuar, dobësisë vetjake të çdo njeriu i shtohen edhe vuajtjejet objektive e kërcënimi kundër të drejtave themelore, mënjanimi e mbytja e lirive. Pikërisht aty, krishterimi duhet të tregojë të vërtetën e tij, aftësinë e tij për ta ngritur në këmbë njeriun e për ta shpëtuar”.
Lindja e Mesme është një paradoks, përfundoi Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala. Pikërisht aty ku kanë lindur, të krishterët janë më të paktë në numër. Megjithatë, realiteti i tyre i ka rrënjët e thella e ata vetë janë shumë aktivë:
“Nuk mund të thuhet se nuk ekziston dëshmia e krishterë. Ekzistojnë veprat, aktivitetet e të krishterëve. Kishat e krishtera nuk mbyllen në vetvete, kanë një gjallëri të jashtëzakonshme e prania e krishterë – veprat, aktiviteti i Kishës – përmes shkollave, spitaleve, universiteteve, shkon shumë përtej atij 2,5 përqindëshit të popullsisë, që është e krishterë”.
Binomi Paqe e Lindje e Mesme kujtohet edhe në orën 21.00, në Auditorium e rrugës së Pajtimit, pranë Radio Vatikanit, ku mbahet koncerti “Effatà. Artistët në dialog me Lindjen e Mesme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.