2010-10-18 16:41:52

Në Sinod: paraqitet Raporti pas diskutimit. Të krishterët e Lindjes së Mesme nuk janë vetëm!


(18.10.2010 RV)Paradite e ngarkuar me veprimtari, e sotmja, në Sinodin për Lindjen e Mesme, në Vatikan, ku vijojnë diskutimet rreth temës: “Bashkim e dëshmi”. Në praninë e Benediktit XVI, referuesi i përgjithshëm, Antonius Nagib, patrik i Koptëve të Aleksandrisë, në Egjipt, si dhe sekretari i posaçëm, Jozef Suif, kryeipeshkëv i maronitëve të Qipros, paraqitën Raportin pas diskutimeve, përmbledhje e argumenteve kryesore, të trajtuara deri tani në Sinod, mbi bazën e të cilave do të hartohen edhe propozimet përfundimtare.
Në orët e vona të paradites, një delegacion i Etërve sinodalë u takua me Ministrin italian të Punëve të Jashtme, Franko Fratini, në praninë e ambasadorit italian pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landi.
Pasdite punimet e Sinodit vijuan sipas grupeve, me porta të mbyllura.

Të shumta, temat e trajtuara në raportin e patrikut Naguib, por një e vetme siguria: të krishterët e Lindjes së Mesme nuk janë vetëm. E s’mund të jenë kurrë, sepse janë nën mbrojtjen e Fjalës së Zotit; sepse të krishterë; misionarë, që vijojnë ta kumtojnë Lajmin e Mirë. E kumtimi i tyre nuk është prozelitizëm, thirrje për të ndërruar fe, sepse Jezusi nuk u kërkon misionarëve të bindin, por të kumtojnë me gëzim Ungjillin. U theksuan edhe një herë domosdoshmëria e lirisë fetare e asaj të ndërgjegjes, barazia e nënshtetasve para ligjit, rëndësia e mjeteve të komunikimit, instrument i fuqishëm, me vlerë të madhe për mbrojtjen dhe përhapjen e mesazhit ungjillor. Shumë u fol edhe për shkollat e universitetet katolike, që duhen mbrojtur, sepse mjedise të privilegjuara për bashkëjetesë paqësore.
Duke lexuar faqen politike, u dënua dhuna, ngado që të vijë, u shpreh solidariteti me palestinezët, gjendja aktuale e të cilëve, u nënvizua në Sinod, favorizon fondamentalizmin. U fol edhe për Irakun, ku situata e të krishterëve bëhet gjithnjë më dramatike, gjë që nuk mund të mos i bjerë në sy bashkësisë ndërkombëtare.
Qëndrore edhe tema e emigrimit: një e drejtë natyrore, u shpreh Sinodi, por që nuk duhet inkurajuar si rrugëzgjidhje e pëlqyer. Në vend të saj, Sinodi kërkon inkurajimin e paqes e të zhvillimit, që të krishterët të mos ikin, të mbeten në Lindjen e Mesme. Shikimi i sallës zgjerohet, duke vënë theksin edhe mbi problemet e diasporës, sepse Kishat e Lindjes së Mesme nuk i këpusin kurrë lidhjet me besimtarët, edhe kur janë jashtë vendit të tyre. E çështja e emigrimit ka të bëjë edhe me ata, që lëvizin nëpër rajon, si afrikanët e aziatikët, të cilët shpesh shfrytëzohen pa mëshirë, ndërsa duhen mikpritur e duhen ndihmuar. Vëmendje e posaçme iu kushtua të rinjve e grave, forcë për të sotmen e shpresë për të ardhmen, ashtu si dhe laikëve, realiteteve të reja kishtare dhe vlerës së jetës monastike e kundruese, që duhet rizbuluar. U fol edhe për krijimin e ‘bankës së meshtarëve’ dhe një banke tjetër, ‘të laikëve’, në mënyrë që të ketë gjithnjë sa më shumë njerëz të gatshëm për të ndihmuar besimtarët e zonave, që kalojnë periudha të vështira.
Përsa i përket dialogut ekumenik, Etërit Sinodalë ripohojnë, në gjurmët e Benediktit XVI, se pa bashkim nuk mund të ketë dëshmi e se përçarja është shkandull. Duhet bërë një përpjekje e sinqertë për t’i kapërcyer paragjykimet, shprehet salla. Propozohet, pastaj, edhe hyrja e Patrikëve në Konklav si dhe studimi i një forme të re të ushtrimit të parisë, që të mos e cënojë misionin e Ipeshkvit të Romës e të frymëzohet nga format kishtare të mijëvjeçarit të parë të krishterimit. Temë delikate, kjo, thuhet në Sinod, që mund të studiohet nga një komision shumëdisiplinor, i krijuar për këtë rast, i ngarkuar nga vetë Ati i Shenjtë. Urohet edhe të krijohen mjete ekumenike komunikimi e të themelohen komisione lokale, që të punojnë për thellimin e ekumenizmit.

E akoma: në qendër të vëmendjes, familja, e minuar nga vizioni relativist i Perëndimit, e katekizmi, që promovon vlerat morale e shoqërore dhe ndihmon për t’iu kundërvënë sekteve. U arrit në një miratim të njëzëshëm lidhur me përdorimin e një teksti të vetëm arab për lutjen e së dielës, ashtu si edhe për festimin e përbashkët të Pashkëve e të Krishtlindjes, në të njëjtën ditë.
Në marrëdhëniet me hebrenjtë, për zgjidhjen e konfliktit izraelo-palestinez, urohet rrugëzgjidhja ‘dy popuj-dy shtete” si dhe thellimi i dialogut në të gjitha nivelet, duke mos e pranuar antisemitizmin e antihebraizmin, ashtu si dhe interpretimet tendencioze të disa verseteve të Biblës, që përligjin dhunën.
Me myslimanët, thuhet në Sinod, duhet parë gjithçka na bashkon, si për shembull, shenjtëria e jetës, duke shmangur çdo veprim provokues.
Urojmë, lexohet në Raport, që parimi koranik “Feja nuk pranon detyrime”, të vihet vërtet në jetë, sepse liria fetare është në bazë të marrëdhënieve të mira ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Prandaj të gjithë duhet ta ndryshojnë mendësinë e tyre, për të kapërcyer frymën e konfesionalizmit, duke i përballuar problematikat shoqëro-politike, si të drejta universale.Së fundi, të gjithë të punojnë të bashkuar, për të mirën e mbarë shoqërisë, për një qytet, ku të ndjehet fort fryma e bashkimit e për një agim të ri në Lindjen e Mesme. Raporti përfundoi me 23 pyetje. U takon grupe të vogla t’u japin përgjigje, për të përgatitur, pastaj, propozimet përfundimtare.









All the contents on this site are copyrighted ©.