2010-10-18 19:05:57

Letra e plotë e Benediktit XVI drejtuar seminaristëve


Të dashur seminaristë,
në dhjetor 1944, kur më thirrën ushtar, komandanti i kompanisë pyeti secilin prej nesh se ç’profesion dëshironte të bënte në të ardhmen. U përgjigja se doja të bëhesha meshtar katolik. Zv.tenenti m’u përgjigj: atëherë ju duhet të kërkoni diçka tjetër. Në Gjermaninë e re nuk ka më nevojë për prifta. E dija se kësaj “Gjermanie të re” po i vinte fundi e, se pas shkatërrimeve të jashtëzakonshme që i solli ajo marrëzi vendit, do të kishte nevojë më shumë se kurrë për meshtarë. Sot, situata është krejtësisht e ndryshme. Por, në mënyra të ndryshme, edhe sot shumë mendojnë se meshtaria katolike nuk është “profesion” për të ardhmen, por i përket së kaluarës. Ju, të dashur miq, keni vendosur të hyni në seminar e prandaj, jeni në rrugë drejt ministerit meshtarak të Kishës Katolike, kundër atyre kundërshtimeve e opinioneve. Keni bërë shumë mirë. Sepse njerëzit do të kenë gjithnjë nevojë për Zotin, pavarësisht nga epoka e mbizotërimit të teknikës e të globalizimit: për atë Zot, që na u tregua në Jezu Krishtin e që na mbledh në Kishën universale, për të mësuar me Të e përmes Tij jetën e vërtetë e për t’i mbajtur parasysh e për t’i bërë të frytshme kriteret e humanitetit të vërtetë. Aty ku njeriu nuk e percepton më Zotin, jeta bëhet e zbrazët; asgjë nuk mjafton. Njeriu kërkon pastaj strehë në dehje e në dhunë, nga të cilat kërcënohet sidomos rinia. Zoti jeton. Ka krijuar secilin prej nesh, prandaj i njeh të gjithë. Është kaq i madh sa të ketë kohë për gjërat tona të vogla: “Flokët e kokës suaj janë të numëruara”. Zoti jeton, e ka nevojë për njerëz, që të ekzistojnë për Të e t’ua çojnë të tjerëve. Po, ka kuptim të bëhesh meshtar: bota ka nevojë për meshtarë, për barinj, sot, nesër e përgjithmonë, deri sa të ekzistojë.
Seminari është bashkësi në rrugë drejt shërbimit meshtarak. Me këtë, them një gjë shumë të rëndësishme: meshtar nuk bëhesh me forcat e tua. Duhet “bashkësia e dishepujve”, bashkësia e atyre që duan t’i shërbejnë Kishës së përbashkët. Me këtë letër dua të vë në dukje – edhe duke parë mbrapa në kohën kur isha në seminar – disa elemente të rëndësishme për këto vite të rrugës suaj.
    Kush dëshiron të bëhet meshtar, duhet te jetë sidomos “njeri i Zotit”, siç e përshkruan Shën Pali Apostull (1 Tm 6,11). Për ne Zoti nuk është hipotezë e largët, nuk është një i panjohur, që është tërhequr pas ‘big bang’-ut. Zoti na është treguar në Jezu Krishtin. Në fytyrën e Krishtit shohim fytyrën e Zotit. Në fjalët e tij dëgjojmë vetë Zotin që na flet. Prandaj, gjëja më e rëndësishme në rrugën drejt meshtarisë e gjatë gjithë jetës meshtarake janë marrëdhëniet personale me Zotin në Jezu Krishtin. Meshtari nuk është administrator i ndonjë shoqate, të cilën mundohet ta mbajë e t’i shtojë numrin e anëtarëve. Është lajmëtar i Zotit ndër njerëz. Për këtë, miq të dashur, është kaq e rëndësishme të mësoni si të jetoni në kontakt të vazhdueshëm me Hyjin. Kur Zoti thotë: “Lutuni çdo çast”, natyrisht nuk na kërkon të themi vazhdimisht fjalë lutjeje, por të mos e humbim kurrë kontaktin e brendshëm me Zotin. Ushtrimi i këtij kontakti i jep kuptim lutjes. Prandaj, është e rëndësishme që dita të fillojë e të përfundojë me lutje. Që ta dëgjojmë Zotin në leximin e Shkrimit Shenjt. Që t’i themi dëshirat dhe shpresat tona, gëzimet e vuajtjet, gabimet e falenderimet për çdo gjë të bukur e të mirë. Në këtë mënyrë e kemi gjithnjë para syve si pikë referimi për jetën. Kështu, bëhemi të ndjeshëm ndaj gabimeve e mësojmë si të punojmë për t’u përmirësuar; por bëhemi të ndjeshëm edhe për çdo gjë të bukur e të mirë që na dhurohet çdo ditë si diçka evidente e, kështu rritet mirënjohja. Me mirënjohjen, rritet gëzimi për faktin se Zoti na qëndron pranë e mund t’i shërbejmë.
    Zoti nuk është vetëm një fjalë për ne. Në Sakramentet, Ai na dhurohet personalisht, përmes gjërave të qenësishme, të mishit e gjakut. Qendra e marrëdhënieve tona me Zotin dhe e përvijimit të jetës sonë është Eukaristia. Kremtimi i saj me shpirt për të takuar kështu vetë Krishtin duhet të jetë qendra e të gjitha ditëve. Shën Çipriani e ka interpretuar kështu frazën e Ungjillit: “Bukën tonë të përditshme jepna neve sot”, duke thënë, ndër të tjera, se buka “jonë”, buka që marrim si të krishterë në Kishë, është vetë Zoti eukaristik. Në lutjen e Atynës kërkojmë që Hyji të na e dhurojë përditë këtë bukë, që ai të jetë gjithnjë ushqimi i jetës sonë. Krishti i Ringjallur, që na dhurohet në Eukaristi, brumostë vërtet krejt jetën tonë me shkëlqimin e dashurisë së tij hyjnore. Për ta kremtuar drejt Eukaristinë është e nevojshme që të mësojmë të njohim, ta kuptojmë e ta duam liturgjinë e Kishës, në formën e saj konkrete. Në liturgji, lutemi me besimtarët e të gjithë shekujve – e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja bashkohen në një kor të vetëm e të madh lutjeje. Siç mund të them nga përvoja ime personale, është diçka entuziazmuese të mësosh e të kuptosh dalëngadalë si është arritur deri këtu, sa përvojë feje ka në strukturën e liturgjisë së Meshës, sa breza e kanë formuar duke u lutur.
    Edhe Sakramenti i Pendesës është i rëndësishëm. Më mëson ta shoh veten me sytë e Zotit e më detyron të jem i ndershëm me vetveten. Më udhëheq drejt përvuajtërisë. Famullitari i Arsit pati thënë: Ju mendoni se nuk ka kuptim të fitosh faljen e mëkateve sot, duke e ditur se nesër do të bëni po të njëjtat mëkate. Por – kështu thotë – vetë Zoti, për momentin, i harron mëkatet tuaja të së nesërmes, për t’iu dhuruar hirin sot. Pavarësisht se duhet të luftojmë vazhdimisht me të njëjtat gabime, është e rëndësishme ta kundërshtojmë shëmtimin e shpirtit, indiferencën, që na thotë se tashmë jemi kështu e s’ka tjetër. Është e rëndësishme të mos e lemë rrugën, pa u bërë merak, me mirënjohjen, që vjen nga vetëdija se Zoti më fal gjithnjë e sërish. Por edhe pa indiferencë, e cila nuk do të na lejonte të luftonim për shenjtërimin e jetës e për t’u përmirësuar. E, duke lejuar që të më falin, mësoj edhe si t’i fal të tjerët. Duke njohur mjerimin tim, bëhem edhe më tolerant e i kuptoj më mirë dobësitë e të afërmit.
    Mbajeni të pastër brenda vetes sensibilitetin për përshpirtërinë popullore, që është e ndryshme në të gjitha kulturat, por gjithnjë e ngjashme, sepse zemra e njeriut në fund të fundit, është po ajo. Sigurisht, përshpirtëria popullore priret drejt iracionalitetit, nganjëherë ndoshta edhe drejt dukjes. E megjithatë, përjashtimi i saj është krejtësisht i gabuar. Përmes saj, feja ka hyrë në zemrat e njerëzve, është bërë pjesë ë ndjenjave të tyre, e zakoneve, e jetës së tyre të përbashkët. Prandaj, përshpirtëria popullore është pasuri e madhe e Kishës. Feja bëhet mish e gjak. Sigurisht, përshpirtëria popullore duhet pastruar vazhdimisht, i duhet referuar thelbit, por meriton dashuri, ajo na bën edhe ne nëmënyrë plotësisht reale “Popull i Zotit”.

5. Koha në seminar është edhe e sidomos kohë studimi. Feja e krishterë ka një përmasë racionale dhe intelektuale, që është thelbësore. Pa të, feja nuk do të ishte ajo që është. Shën Pali flet për një “formë mësimdhënieje”, së cilë si jemi besuar në pagëzim (Rm 6,17). Ju të gjithë e njihni fjalën e Shën Pjetrit, konsideruar nga teologët e Mesjetës si justifikimi për tëologjinë racionale e shkencore: “Të jeni gjithnjë të gatshëm t’u përgjigjeni kujtdo t’iu kërkojë ‘arsyen’ (logos) e shpresës që është në ju” (1Pjt 3,15). Të mësosh aftësinë për të dhënë përgjigje të tilla, është një nga detyrat kryesore të viteve të seminarit. Mundem vetëm t’ju lutem fort: studioni me impenjim! Shfrytëzojini vitet e studimit! Nuk do të pendoheni. Natyrisht, shpesh lëndët e studimit duken shumë larg nga praktika e jetës së krishterë dhe nga shërbimi baritor. Megjithatë është krejtësisht e gabuar t’i bëni vetes menjëherë pyetjen pragmatike: a do të më shërbejë kjo nëtë ardhmen? A do të jetë e dobishme praktikisht për baritorinë? Nuk është fjala për të mësuar vetëm gjërat që qartësisht do t’ju duhen, por është fjala për të njohur e kuptuar strukturën e brendshme të fesë në tërësinë e saj, në mënyrë që ajo të bëhet përgjigje për pyetjet e njerëzve, që ndryshojnë, nga ana e jashtme, nga brezi në brez, e megjithatë në thelb mbeten po ata. Prandaj, është e rëndësishme të shkohet përtej pyetjeve të momentit për të kuptuar ato të vërtetat e për të gjetur edhe përgjigjet e vërteta. Është e rëndësishme të njihet me fund Shkrimi i Shenjtë, tërësisht, si Beslidhja e Vjetër, ashtu edhe ajo e Re: formimi i teksteve, veçoria e tyre letrare, kompozimi i tyre gradual deri në formimin e librave të shenjta kanonike, njësia e brendshme dinamike, që nuk gjendet në sipërfaqe, por që është e vetmja që i jep çdo teksti, kuptimin e plotë. Është e rëndësishme të njihen Etërit e Kishës dhe Koncilet e mëdha, në të cilët Kisha ka asimiluar, duke reflektuar e besuar, pohimet thelbësore të Shkrimit Shenjt. Mund të vazhdoj më tej kështu: ajo që quajmë dogmatikë është kuptimi i përmbajtjeve të veçanta të fesë në unitetin e tyre, madje në thjeshtësinë e tyre më të fundme: çdo veçori është në fund të fundit vetëm shtjellim i fesë në një Zot të vetëm, që na është shfaqur e na shfaqet neve. Që është e rëndësishme të njihni çështjet thelbësore të teologjisë morale dhe të doktrinës shoqërore të Kishës, s’është e nevojshme as t’jua them. Sa e rëndësishme është sot teologjia ekumenike, njohja e bashkësive të ndryshme të krishtera, është mëse e qartë; njëlloj, nevoja e orientimit në fetë e mëdha e jo e fundit, filozofia: kuptimi i kërkimit e i shtrimit njerëzor të pyetjeve, të cilave feja dëshiron t’u japë përgjigje. Por mësoni edhe si të kuptoni e – guxoj të them – të doni edhe të drejtën kanonike, tepër të nevojshme, me format e zbatimit praktik të saj: një shoqëri pa ligje do të ishte një shoqëri pa të drejta. E drejta është kusht i dashurisë. Tani nuk dua të rreshtoj të tjera, por t’ju them edhe një herë: duajeni studimin e teologjisë e ndiqen me ndjeshmëri për ta ankoruar teologjinë në bashkësinë e gjallë të Kishës, e cila, me autoritetin e saj, nuk është një pol i kundërt me shkencën teologjike, por kusht për mbarëvajtjen e saj. Pa Kishën që beson, teologjia nuk është më vetvetja e bëhet një bashkësi lëndësh të ndryshme, pa unitet të brendshëm.
6. Vitet e seminarit duhet të jenë edhe kohë për të arritur pjekurinë njerëzore. Për meshtarin, i cili duhet të shoqëroje edhe të tjerët gjatë rrugës së jetës deri te porta e vdekjes, është e rëndëishme që ai vetë të ketë arritur ekuilibrin ndërmjet zemrës e intelektit, arsyes e ndjenjave, trupit e shpirtit, e të jetë i plotë nga pikpamja njerëzore. Prandaj, tradita e krishterë i lidh gjithnjë “virtytet teologale” me “virtytet kardinale”, që rrjedhin nga përvoja njerëzore e nga filozofia, e në përgjithësi nga tradita e shëndoshë etike e njerëzimit. Shën Pali u thotë qartë filipianëve: “Si përfundim. Vëllezër, ç’është e vërtetë, ç’është fisnike, ç’është e drejtë, ç’është e pastër, ç’është e dashur, ç’është e nderuar, ç’është virtyt e ç’meriton lavde, ky të jetë objekti i mendimeve tuaja” (4,8). Në këtë kontekst, bën pjesë edhe integrimi i seksualitetit në tërësinë e personalitetit. Seksualiteti është dhuratë e Krijuesit, por edhe detyrë, që ka të bëjë me zhvillimin e njeriut brenda nesh. Kur nuk integrohet me personin, seksualiteti bëhet banal e shkatërrues njëkohësisht. Sot e shohim këtë në shumë shembuj të shoqërisë. Kohët e fundit na është dashur të shohim me keqardhje të madhe se si disa meshtarë e kanë shpërfytyruar ministerin e tyre me abuzimin seksual të fëmijëve e të të rinjve. Në vend që t’i udhëhiqnin personat drej pjekurisë njerëzore dhe në vend që të bëheshin shembull për ta, shkaktuan, me abuzimet e tyre, shkatërrime, për të cilat ndjejmë dhimbje e keqardhje të thellë. Për shkak të tyre, shumëkujt, madje edhe juve vetë, mund t’ju lindë pyetja nëse është mirë të bëheni priftërinj; nëse rruga e celibatit ka kuptim si rrugë njerëzore. Por, abuzimi, që natyrisht duhet dënuar, nuk mund të diskreditojë misionin meshtarak, i cili mbetet i madh dhe i pastër. Faleminderit Zotit, të gjithë njohim meshtarë të bindur, të brumosur me fe, të cilët dëshmojnë se në këtë gjendje e pikërisht në jetën e celibatit, mund të arrihet një humanitet i vërtetë, i pastër dhe i pjekur. Ajo që ndodhi duhet të na bëjë më vigjilentë e të kujdesshëm, pikërisht për ta pyetur mirë veten para Zotit, në rrugën drejt meshtarisë, për të kuptuar nëse ajo është vullneti i tij për mua. Është detyrë e etërve rrëfyes dhe e eprorëve tuaj t’ju shoqërojnë dhe t’ju ndihmojnë në kët rrugë përzgjedhjeje. Është element thelbësor i rrugës suaj, praktikimi i virtyteve njerëzore themelore, me vështrimin drejt Zotit të shfaqur në Krishtin, e ta lindi veten, gjithnjë e sërish, të pastroheni prej Tij.
7. Sot, fillimet e thirrjes meshtarake janë më të shumëllojshme se në vitet e kaluara. Vendimi për rrugën e meshtarisë merret sot shpesh gjatë përvojës në një profesion shekullar. Rritet shpesh brenda bashkësisë, sidomos brenda lëvizjeve, që favorizojnë takimin komunitar me Krishtin e Kishën e tij, një përvijë shpirtërore e gëzimi në shërbim të fesë. Vendimi merr formë edhe në takimet krejtësisht personale me madhështinë e mjerimin e të qënit njeri. Kështu, kandidatët për meshtarë jetojnë shpesh në kontinente shpirtërore krejtësisht të ndryshme. Mund të jetë e vështirë të shihen elementet e përbashkëta të mandatit të ardhshëm e të rrugës së tij shpirtërore. Për këtë arsye, seminari është i rëndësishëm si bashkësi, që shkon përtej formave të veçanta të përshpirtërisë. Lëvizjet janë diçka e mrekullueshme. Ju e dini sa i vlerësoj dhe i dua si dhuratë e Shpirtit Shenjtë për Kishën. Por, ato duhen vlerësuar sipas mënyrës me të cilën i afrohen realitetit të përbashkët katolik, jetës së Kishës së vetme e të përbashkët të Krishtit, e cila, megjithë shumëllojshmërinë e saj, është gjithsesi një e vetme. Seminari është periudha, gjatë së cilës mësoni njëri me tjetrin dhe njëri nga tjetri. Gjatë bashkëjetesës, ndoshta të vështirë nganjëherë, duhet të mësoni bujarinë dhe tolerancën e jo vetëm ta duroni njëri-tjetrin, por të pasuroheni nga njëri-tjetri, në mënyrë që secili të mund të sjellë kontributin e vet në bashkësi, ndërsa të gjithë i shërbejnë së njëjtës Kishë, të njëjtit Zot. Kjo shkollë tolerance, madje shkollë e pranimit dhe e kuptimit në unitetin e Korpit të Krishtit, është pjesë e elementeve të rëndësishme të viteve të seminarit.
Të dashur seminaristë! Me këto rreshta desha t’ju tregoj sa ju mendoj në këto kohë të vështira e sa ju jam afër me lutje. Lutuni edhe për mua, që ta kryej mirë shërbimin tim, derisa të dojë Zoti. Ia besoj rrugën e përgatitjes suaj për meshtari mbrojtjes amnore të Zojës së Bekuar, shtëpia e së cilës qe shkollë e së mirës dhe e hirit. Të gjithëve, ju bekoftë Zoti i gjithpushtetshëm, Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë.

Nga Vatikani, 18 tetor 2010, festa e Shën Lukës Ungjilltar

I juaji në Zotin
Benedikti PP XVI








All the contents on this site are copyrighted ©.