2010-10-18 13:56:51

Letra e Papës për seminaristët: bëhuni lajmëtarë të Zotit ndër njerëz. Abuzimet seksuale shpërfytyrojnë meshtarinë


(18.10.2010 RV)Meshtari duhet të jetë gjithnjë “lajmëtar i Zotit ndër njerëz”: kështu shkruan Benedikti XVI në një letër drejtuar seminaristëve, në kuadrin e përfundimit të Vitit Meshtarak. Papa kujton përvojën e tij personale si seminarist, në Gjermaninë e sapodalë nga tragjedia e nazizmit. Përveç kësaj, Ati i Shenjtë shpreh edhe një herë dhimbjen për plagën e abuzimeve seksuale në Kishë. Fenomen shkatërrues dhe i dënueshëm, thekson ai, që gjithsesi, nuk mund të diskreditojë misionin meshtarak.

Nga zemra e Papës në zemrën e seminaristëve. Benedikti XVI u drejtohet me një stil intim e personal të rinjve, që duan të bëhen meshtarë. Kujton, se në dhjetor 1944, kur i erdhi letra për ushtar, komandantit, që e pyeste se ç’donte të bëhej në të ardhmen, iu përgjigj se do të bëhej meshtar katolik. Në “Gjermaninë e re”, i tha nazisti, nuk do të kishte më nevojë për meshtarë. Por, shkruan Papa, “e dija se pas shkatërrimeve të jashtëzakonshme, që solli ajo marrëzi në vend, do të kishim nevojë për meshtarë më tepër se kurrë”. Sot, gjithçka ka ndryshuar. E megjithatë, nënvizon Benedikti XVI, edhe sot “shumë mendojnë se të bëhesh meshtar katolik nuk është ‘profesion’ i së ardhmes, por i takon së kaluarës”. Nuk është kështu! Vërtet, njerëzit “do të kenë gjithnjë nevojë për Zotin, pavarësisht nga epoka e mbizotërimit të teknikës e të globalizimit: për atë Zot, që na u tregua në Jezu Krishtin e që na mbledh në Kishën universale”. E më pas, Papa shton: “Aty ku njeriu nuk e percepton më Zotin, jeta bëhet e zbrazët; asgjë nuk mjafton”. E njeriu, vëren Ati i Shenjtë me trishtim, “kërkon strehë në dehje e në dhunë, nga të cilat kërcënohet sidomos rinia”. Ja përse, nënvizon Benedikti XVI, kush dëshiron të bëhet meshtar “duhet të jetë sidomos ‘njeri i Zotit’”. Një Zot, shkruan Papa, i cili për ne “nuk është hipotezë e largët, nuk është një i panjohur, që është tërhequr pas ‘big bang’-ut”. Prandaj, “gjëja më e rëndësishme në rrugën drejt meshtarisë e gjatë gjithë jetës meshtarake janë marrëdhëniet personale me Zotin në Jezu Krishtin”. Meshtari, tërheq vemendjen Benedikti XVI, “nuk është administrator i ndonjë shoqate, të cilën mundohet ta mbajë e t’i shtojë numrin e anëtarëve”. Është “lajmëtar i Zotit ndër njerëz. Dëshiron t’i udhëheqë njerëzit drejt Hyjit për të rritur kështu bashkimin e vërtetë ndërmjet tyre”. Ja përse, u shkruan Papa seminaristëve, “është kaq e rëndësishme të mësoni si të jetoni në kontakt të vazhdueshëm me Zotin”.
Vitet e seminarit, reflekton më tej Ati i Shenjtë, “duhet të jenë edhe periudhë për të arritur pjekurinë”. Për meshtarin “është e rëndësishme që ai vetë të ketë gjetur ekuilibrin e drejtë ndërmjet zemrës dhe intelektit, arsyes e ndjenjave, trupit e shpirtit, e të jetë “i plotë” nga pikpamja njerëzore”. Këtu, vazhdon Papa, “bën pjesë edhe integrimi i seksualitetit në tërësinë e personalitetit”. Seksualiteti, pohon Benedikti XVI, “është dhuratë e Krijuesit, por edhe detyrë, që ka të bëjë me zhvillimin e njeriut brenda nesh”. Vërtet, “kur nuk integrohet me personin, seksualiteti bëhet banal e shkatërrues njëkohësisht”. Kohët e fundit, shkruan Ati i Shenjtë, “na është dashur të shohim me keqardhje të madhe se si disa meshtarë e shpërfytyruan ministerin e tyre me abuzimin seksual të fëmijëve e të rinjve”. Këta meshtarë, thotë Papa me hidhërim, “kanë shkaktuar, me abuzimet e tyre, shkatërrime, për të cilat ndjejmë dhimbje e keqardhje të thellë”. Për shkak të tyre, pranon Benedikti XVI, “shumëkujt, madje edhe juve vetë, mund t'ju lindë pyetja nëse është mirë të bëheni priftërinj; nëse rruga e celibatit ka kuptim si rrugë njerëzore”. Por, abuzimi “që natyrisht duhet dënuar – pohon Papa – nuk mund të diskreditojë misionin meshtarak, i cili mbetet i madh dhe i pastër”. Faleminderit Zotit, vazhdon, “të gjithë njohim meshtarë të bindur, të brumosur me fe, të cilët dëshmojnë se në këtë gjendje e pikërisht në jetën e celibatit, mund të arrihet një humanitet i vërtetë, i pastër dhe i pjekur”. Ajo që ndodhi, vazhdon Ati i Shenjtë, duhet “të na bëjë më vigjilentë e të kujdesshëm, pikërisht për ta pyetur mirë veten para Zotit, në rrugën drejt meshtarisë”. Që këtej rrjedh “detyra e etërve profesorë” dhe e eprorëve për t’i shoqëruar e për t'i ndihmuar seminaristët “në këtë rrugë përzgjedhjeje”.
Papa flet pastaj për rëndësinë e Sakramenteve në jetën e seminaristit. “Qendra e marrëdhënieve tona me Zotin dhe e përvijimit të jetës sonë – thekson – është Eukaristia”. Për këtë “kremtimi me shpirt” i saj duhet të jetë “qendra” e ditës së meshtarit. Për “kremtimin e drejtë të Eukaristisë është e nevojshme të mësojmë si ta njohim, si ta kuptojmë e ta duam liturgjinë e Kishës, në formën e saj konkrete”. Edhe Sakramenti i Pendesës, vazhdon Benedikti XVI, është i rëndësishëm, pasi “na mëson ta shohim veten nga këndvështrimi i Zotit e na detyron të jemi të ndershëm me vetveten deri në fund. Na udhëheq drejt përvuajtërisë”. E shton: “Duke lejuar që të më falin, mësoj edhe si t’i fal të tjerët”, “bëhem më tolerant e i kuptoj më mirë dobësitë e të afërmit”. Nga Papa, edhe një mendim mbi studimin në seminar. Është e rëndësishme, shkruan ai, të njihet me fund Shkrimi i Shenjtë, Etërit e Kishës e Koncilet e mëdha, por edhe drejtësia dhe filozofia. “Duajeni studimin e teologjisë – i këshillon Benedikti XVI seminaristët – ndiqeni me kujdes për ta ankoruar teologjinë në bashkësinë e gjallë të Kishës”. Pa Kishën që beson, thekson Papa, “teologjia nuk është më vetvetja”.
Në fund, Benedikti XVI flet për përshpirtërinë popullore, e cila, megjithëse nganjëherë “priret drejt gjërave iracionale e drejt dukjes”, ka hyrë në zemrat e njerëzve dhe është bërë “një pasuri e madhe e Kishës”. Papa nuk mungon të lavdërojë lëvizjet kishtare, që i quan “diçka e mrekullueshme”. Por, tërheq vëmendjen ai, ato duhen vlerësuar “sipas mënyrës me të cilën i afrohen realitetit universal katolik, jetës së Kishës së vetme e të përbashkët të Krishtit, e cila, megjithë shumëllojshmërinë e saj, është gjithsesi një e vetme”. Letra drejtuar seminaristëve përfundon me inkurajimin e Papës, që ata të mësojnë nga njëri-tjetri, të pasurohen nga njëri-tjetri e të gjithë sëbashku t’i shërbejnë së njëjtës Kishë, të njëjtit Zot.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.