2010-10-17 11:56:26

Dialogu ndërfetar në qendër të një konference në Universitetin Gregorian


“Të ndërtojmë ura shprese”: ky është titulli i konferencës, që u mbajt javën e kaluar në Universitetin Gregorian në Romë, organizuar nga vetë ateneu papnor dhe nga Ambasada Amerikane në Selinë e Shenjtë. Në takimin e përqëndruar në përvojën e dialogut ndërfetar, mori pjesë edhe reverendi Joshia Dybua, këshilltar i presidentit amerikan Barak Obama për fenë. Pikërisht ai solli edhe mesazhin e Obamës për konferencën. “Dialogu ndërfetar është themelor për përballimin e sfidave më urgjente të botës së sotme”: kështu shkruan presidenti amerikan.
Konferenca u zhvillua përmes tri tryezave të rrumbullakta mbi zhvillimin etik dhe të barabartë, mbi mbrojtjen e ambientit dhe mbi parandalimin e konflikteve. Diskutuan eksponentë të krishterë, hebraikë dhe myslimanë. Relatorët, shumë prej të cilëve ishin krerë të organizatave jo qeveritare e kishtare, treguan, përmes përvojës konkrete, se është e mundur një sinergji ndërfetare për të mirën e përbashkët, për luftën kundër varfërisë, për ndërhyrjet në zonat e dëmtuara nga fatkeqësi natyrore. U nënvizua nevoja e forcimit të mundësisë së dialogut dhe të bashkëpunimit, impenjim, që pas ngjarjeve të hidhura të 11 shtatorit e dukjes së fantazmës së ndeshjes ndërmjet qytetërimeve, bëhet detyrë morale për të gjithë njerëzit vullnetmirë.
Mbi rezultatet e kësaj konference, të dëgjojmë ambasadorin amerikan në Selinë e Shenjtë, Miguel H. Diaz:
Projekti ynë më i rëndësishëm është ai i ndërtimit të shumë urave të shpresës, duke mësuar nga sukseset dhe strategjitë në veprimtarinë ndërfetare. Pak a shumë para një viti, në fjalimin e tij në Kajro, presidenti Obama na ftoi ta shndërrojmë dialogun ndërfetar në veprim, në mënyrë që urat ndërmjet kombeve të bëhen rruga për një të ardhme më të mirë.
Sipas jush, çfarë e pengon sot ndërtimin e këtyre urave? Cilat janë sfidat?
Jetojmë në një botë, karakteristika e së cilës është frika nga tjetri dhe nga fakti se është i ndryshëm prej nesh. Fatkeqësisht, zëra ekstremiste dhe fanatike përfitojnë shpesh nga kjo për të sabotuar përpjekjet e feve. Mendoj se sfida jonë më e madhe është të ecim sëbashku me të tjerët drejt përvojave të përbashkëta, për të zbuluar ide të reja, që na bashkojnë në veprimtarinë për të mirën e gjithë botës.
Kohët e fundit, krerët fetarë amerikanë vizituan Shtëpinë e Bardhë dhe shprehën mbështetjen e tyre për punën e administratës Obama në favor të paqes në Lindjen e Mesme. Pikërisht këto ditë, po zhvillohet në Vatikan Sinodi për Lindjen e Mesme. Sa i rëndësishëm është kontributi i njerëzve të fesë për paqen në Tokën Shenjte?
Siç e pamë në fjalimin që mbajti në Uestminster Holl të Londrës, Papa Benedikti XVI e mbrojti rolin e fesë në shoqërinë bashkëkohore. Kontributi që mund të japë feja në procesin e paqes në Lindjen e Mesme është i pazëvendësueshëm. Në thelb të çdo feje është rregulla e artë, që na fton të mos u bëjmë të tjerëve atë, që s’duam të na e bëjnë neve. Kjo është dëshira praktike, që mund të udhëheqë procesin e paqes në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.