Imzot Tual, nga salla e Sinodit, e shikon pushtimin izraelit si shkak kryesor të ikjes
së të krishterëve nga Toka Shenjte.
(15.10.2010 RV)Pushtimi izraelit në territoret palestineze është 100% shkaku
kryesor i ikjes së të krishterëve nga Palestina. Këtë theksoi Patriku latin i Jeruzalemit,
imzot Fuad Tual, duke e shprehur këtë mendim gjatë njërit nga pushimet ndërmjet
seancave të Sinodit për Lindjen e Mesme, që vijon në Vatikan. Prelati shpjegoi
se konflikti izaelito-palestinez nuk mund të shikohet si shkaku i të gjitha të këqijave
në rajon. Duhet ta ndajmë shapin nga sheqeri, sqaroi. Kur flasim për Libanin, për
Irakun, për Sirinë, nuk mund të themi se pushtimi izraelit është shkaku i të gjitha
problemeve. Por në se flasim për territoret e pushtuara nga Izraeli, shtoi, duhet
të themi se pikërisht ky pushtim është 100% shkaku kryesor i situatës së tmerrshme,
në të cilën po jetojmë. Nga ana tjetër, vijoi patriku, Instrumentum laboris,
dokumenti bazë i diskutimeve në Sinod, e thotë qartë: është hera e parë që një dokument
i kësaj natyre flet haptas për pushtim izraelit.