2010-10-14 17:35:07

Sinodi i ipeshkvijve kërkon liri fetare për Lindjen e Mesme


(14.10.2010 RV)Lindja e Mesme ka të drejtë të shpresojë: ky është zëri i Sinodit të ipeshkvijve, që i kushtohet këtij rajoni e që po zhvillohet në Vatikan mbi temën e “bashkimit e të dëshmisë”. Sot, në qendër të Mbledhjes së përgjithshme, në praninë e Papës, u diskutua mbi temën e barazisë e të të drejtave si edhe për forcimin e sistemit të komunikimit.
Lindja e Mesme, shpjeguan ipeshkvijtë, nuk është gjithnjë njëlloj: ka çaste të errëta, por ka edhe dritë. Në Liban, për shembull, Kisha ka një rol shumë të rëndësishëm e të lashtë, në disa vende të Gjirit Persik po ndërtohen kisha të reja, Arabia Saudite po inkurajon takimet ndërfetare. Por, nga ana tjetër, aty ku Islamizmi është fe shtetërore, mungon liria fetare, ligjet mbi emigracionin janë kufizuese, mungojnë meshtarët. Si mund të pajtohet kjo me tolerancën që predikohet në Kuran, pyesin ipeshkvijtë, sidomos kur mungon liria e ndërgjegjes e qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit?
Në këtë kuadër, bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme sistemet e komunikimit, që favorizojnë njohjen e ndërsjelltë, duke përcaktuar temat e diskutimit në opinionin publik. Ipeshkvijtë kërkuan të bëhet më shumë për formimin në fushën e mas mediave, jo vetëm për laikët, por edhe për seminaristët, në veçanti në fushën e kulturës dixhitale, e pranishme tashmë në shumë vende të Lindjes së Mesme.
Një temë tjetër e rëndësishme, që u trajtua sot, ishte ajo e ungjillëzimit të familjes, e cila ndjen ndikimin perëndimor të përhapjes së divorcit, apo të kontraceptivëve. Bërthama familjare duhet konceptuar si kishë shtëpiake, vatër e transmetimit të fesë.
Ipeshkvijtë bënë edhe autokritikë: të krishterët – thanë ata – nuk e njohin mirë Ungjillin e përçarjet mes nesh shkaktojnë dyshime e vuajtje. Si mund të shkojnë besimtarët në një Kishë që nuk ka bashkim? Ka ardhur koha – theksuan – të ecim sëbashku për të mirën e popullit të Zotit, pasi çështja ekumenike në Lindjen e Mesme është një nga sfidat kryesore për Kishën e sotme. Në Sinod u sugjerua të themelohen “Ditët ekumenike të Lindjes së Mesme”, sipas modelit të Ditëve Botërore të Rinisë.
E më tej u fol për emigracionin, duke vënë në dukje se emigrantët shpesh “kryqëzohen” – siç thanë në mënyrë figurative ipeshkvijtë – mes vendeve të nisjes e vendeve të emigrimit. Të krishterët e Lindjes së Mesme duhen inkurajuar të qëndrojnë në vendet e tyre, pasi prania e tyre është vullnet i Zotit, por pa mohuar të drejtën e emigracionit. Sipas relatorëve, duhet kaluar nga koncepti i ndihmës për të krishterët në Lindjen e Mesme në atë të zhvillimit, që i rrënjos në tokën e tyre.
“Roli i të krishterëve në Lindjen e Mesme është krijimi i një atmosfere besimi ndërmjet perëndimit dhe botës myslimane, që të punohet për një Lindje të Mesme pa luftë”: kështu u shpreh patriku i Antiokisë së Greko Melkitëve, njëkohësisht kryeipeshkëv i Damaskut, Gregorios III Laham. “Prania e krishterë – theksoi ai – kërcënohet nga luftrat që përfshijnë zonën, sidomos nga konflikti izraelito-palestinez”. Por, ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
Problemi më i madh është ai i atij konflikti, që përmbys të gjitha vlerat e të gjitha marrëdhëniet e botës. Po flas për konfliktin izraelito-palestinez. Shumë kriza të tjera, sipas nesh, janë shkaktuar nga ky konflikt, kush më pak, kush më shumë. Prandaj, nga Sinodi, ne e inkurajojmë Kishën Katolike të vazhdojë me propozimet, nismat e përpjekjet për paqe. I kërkojmë edhe bashkësisë ndërkombëtare të bëjë ç’është e mundur, por sot, jo nesër. Është urgjente më tepër se kurrë të punohet për paqen: mendoj se ky është shërbimi më i madh, që mund të bëhet në këtë moment. Prandaj, propozoj që Sinodi të bëjë një thirrje urgjente për paqen në Lindjen e Mesme.
Sipas jush, qetësia në Lindjen e Mesme varet ga konflikti izraelito-palestinez?
Qetësia, paqja, bashkëjetesa, harmonia, liria e kultit, liria e fesë. Përveç kësaj, paqja është çelësi për dialogun islamo-kristian edhe në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.