Qytetërimi i aborigjenëve australianë në Vatikan. Ekspozitë në muzen misionar etnologjik.
Nesër Muzeu Misionar Etnologjik në Vatikan do të inaugurojë ekspozitën “Rituale të
jetës”, kushtuar kulturës së aborigjenëve të Austrialisë, një prej kulturave më të
vjetra të botës. Muzeu Misionar Etnologjik është një nga muzetë më pak të njohur
të Vatikanit, ndonëse ka me mijëra vepra dhe objekte tepër të çmueshme që vijnë nga
e gjithë bota dhe nga kulturat e çdo epoke, përshkuar nga ndjenja e dialogut ndërmjet
qytetërimeve dhe besimeve fetare. Bëhet fjalë pikërisht për atë ekspozitë misionare
edicionin e parë të së cilës, në vitin 1925, e pati fituar Shqipëria. Eksponatet asokohe
ishin përgatitur nga Atë Gjergj Fishta, i cili gjendej në Itali si në një gjysmë mërgimi
pas dështimit të Lëvizjes së Qershorit 1924. Po më hollësisht, në mikrofonin
tonë flet drejtori i Muzeut Misionar Etnologjik, Atë Nikola Mapeli:
Përgjigje:
Në vitin 1925, Papa Piu XI deshi të ngrihej një ekpozitë e madhe misionare dhe i kërkoi
të gjithë popujve të botës të nisnin objekte që e përfaqësonin më mirë e më kulturën
e tyre. Tashti, nga Australia kanë mbërritur rreth 300 sende dhe vepra arti. Nga këto
gati njëqind janë vendosur në eksponatet e muzeut. Jjanë kryesisht vegla të jetës
së përditshme të aborigjenëve por ka edhe vepra arti që shprehin botën e tyre artistike.
Janë vepra me të vërtetë shumë të rëndësishme dhe me shumë vlerë. Kemi për shembull
një koleksion pikturash në gur që quhen “Cikli i të Kënduarit Uanxhina”. Këto janë
edhe punimet figurative më të lashta të transportueshme që kanë prodhuar aborigjenët
austrialianë. Deri në fillim të shek. XIX, ata pikturonin faqet e shkëmbijve. Me fillimin
e tetëqindëshit nisën të pikturojnë në gurë të vegjël të cilit mund t’i mbartnin me
vete. Pikërisht 13 gurët e parë të pikturuar janë të ekspozuar në këtë muze. Nga ana
tjetër mund të shtoj se kjo ekspozitë shoqërohet edhe me një tjetër në një sallë të
veçantë, kushtuar sendeve dhe veprave të artit që vijnë nga zona të ndryshme të Oqeanisë.(...)