Më në fund të lirë: Mbarë bota gëzohet për shpëtimin e 33 minatorëve kilianë.
(14.10.2010 RV)Shpëtimi i minatorëve kilianë të cilët nga data 5 gusht gjendeshin
të bllokuar në një thellësi prej 700 metrash si pasojë e avarisë në një galeri të
minierës së San Hozesë, është një gëzim që i kapërceu menjëherë kufijtë e Kilit. Familjarët,
të afërmit por edhe e mbarë bota e ndoqi hap pas hapi e me ankth operacionin e jashtëzakonshëm
ndërmarrë nga qeveria e Kilit për shpëtimin e tyre.
“O burra, po del edhe
i fundit, ora 21.55. Në të gjithë vendin është gati të shpërthejë gëzimi”. Kështu
e komentuan gazetarët e TV kombëtar kilian lajmin se edhe minatori i fundit nga 33
që kishin mbetur të bllokuar në 700 metra thellësi, po dilte në sipërfaqe. Ishte ky
fundi i ankthit dhe i pritjes së familjeve të këtyre minatorëve të cilët luftuan kundër
kohës dhe natyrës, pa e humbur asnjë çast besimin dhe shpresën se do t’i përqafonin
sërish të afërmit. “Kam qenë me Zotin dhe me djallin”, - u shpreh njëri nga minatorët.
“Kapa fort dorën e Zotit. Ishte dora më e mirë. Gjithmonë e kam ditur se Zoti do na
nxirrte që andej.” Në këto çaste kur euforia ka shpërthyer në të gjithë vendin
e zëdhënësi i saj bëhet vetë presidenti i i Kilit, Sebastian Pinjera, i cili
priti te gryka e pusit derisa doli edhe minatori i fundit nga nëntoka:
Përgjigje:
Dua të them se kemi bërë gjithçka sipas traditave të Kilit dhe kjo do të thotë se
gjithçka e bëmë mirë, me bashkim, me besim, me shpresë. Dua të falenderoj shumë njerëz:
në fillim 33 minatorët të cilët janë një mësim për besnikërinë, për punën si një trup
i vetëm. Minatorët nuk janë më ata që patën mbetur të bllokuar më 5 gusht. Ata dolën
nga nëntoka më të fortë dhe janë mësim për ne, por as Kili nuk është më i njëjti.
Mendoj se Kili sot është më bashkuar dhe më i fortë se përpara dhe besoj se në të
gjithë botën, që sot e tutje, Kili do të jetë më i respektuar dhe më i nderuar.