Sinodi për Lindjen e Mesme: thirrje të krishterëve për të mos u larguar nga Toka e
Shenjtë.
(13.10.2010 RV)Punime me porta të mbyllura, sot paradite, në Sinodin e Ipeshkvijve,
kushtuar Lindjes së Mesme, që vijon në Vatikan, me temën e bashkimit e të dëshmisë.
Në program, sesioni i parë i grupeve të vogla. Diskutimi i përgjithshëm rifilloi pasdite,
me fjalën e shumëpritur të rabinit David Rozen, drejtor i departamentit për çështjet
ndërfetare të Komitetit hebraik amerikan në Izrael. Po sot, një delegacion i Etërve
Sinodalë ishte për vizitë në Kuirinale, ku u takua me Presidentin e Republikës italiane,
Xhorxhio Napolitano.
Në qendër të vëmendjes, “Kisha e Kalvarit, që vuan nga
dhuna e situata e paqëndrueshme”: kështu e përkufizoi Sinodi bashkësinë e krishterë
në Tokën Shenjte, që përfaqëson vetëm 2% të popullsisë. E fuqishme, prandaj, thirrja
drejtuar besimtarëve që të mos largohen nga ky vend i vetmuar e i izoluar, të mos
e kthejnë në muze nën qiellin e hapur. Nuk mund të përfytyrohet Toka e Shenjtë pa
të krishterë! Do të ishte tejet e varfër, në se ndjekësit e Krishtit nuk do të vijonin
të ishin atje, si simbol i gjallë i pranisë së Zotit, i lajmit të mirë të paqes e
të pajtimit. Kanë përgjegjësi, prandaj, për këto Vise të Shenjta. Të jesh pakicë,
nënvizojnë Etërit Sinodalë, do të thotë të nxitesh për të qenë më i vendosur. Kisha
në Tokën e Shenjtë duhet të jetë më e bindur, më guximtare e më mikpritëse, sepse
është e thirrur pikërisht për të jetuar në këto vise. Vështrimi i Sinodit rikthehet
edhe drejt Irakut, gjendja e të cilit quhet alarmante e krahasohet me atë të Turqisë
gjatë Luftës I Botërore. Prandaj kërkohet respektimi i të drejtave themelore të njeriut,
liria, dinjiteti i tij. Por, pavarësisht nga çastet historike, që jeton Lindja
e Mesme, ripohon Sinodi, gjaku i pafajshëm i martirëve e heroizmi i tyre shembullor
bëhen farë e hedhur për rritjen e një krishterimi të shkëlqyer e të vërtetë. Krishterim
që kërkon ungjillëzimin e mëtejshëm, kërkon edukimin e familjeve me shpresën e krishterë,
e cila vijon t’i ndriçojë zemrat, edhe atëherë kur shuhet çdo shpresë njerëzore; kërkon
thellimin e bashkëjetesës misionare me lëvizjet kishtare e me bashkësitë e reja. Në
këto rrethana, në Sinod u dha njoftimi për ndërtimin e një qendre ndërkombëtare të
përshpirtërisë familjare, në Nazaret. Temë tjetër, shumë e prekur, ajo e ekumenizmit,
e dialogut ndërfetar, e besimit reciprok ndërmjet Perëndimit e botës myslimane, në
përpjekjen për të krjuar një Lindje të Mesme pa luftëra. Së fundi, në Sallën Sinodale
flitet edhe për hartimin e një Libri të bardhë, kushtuar gjendjes së popullsisë në
Lindjen e Mesme; njohjen e së drejtës së votës për emigrantët; hartimin e një katekizmi
të vetëm për të gjithë katolikët e zonës e edhe për kremtimin, në të gjitha Kishat
e Lindjes së Mesme, të një viti kushtuar Shën Gjonit, pas përfundimit të Vitit kushtuar
Shën Palit.