2010-10-13 18:59:23

Papa në audiencën e përgjithshme lutet për minatorët kilianë


Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI ia besoi mirësisë hyjnore të gjithë minatorët kilianë, posaçërisht ata që, pak nga pak, po dalin nga miniera, ku mbetën të ngujuar për 70 ditë.
“… sigo encomendando con esperanza…
“Vijoj t’ia besoj plot shpresë mirësisë hyjnore, tha Papa Racinger duke përshndetur shtegtarët e gjuhës spanjolle, minatorët e zonës së Atakamës, në Kili.
Lutja e Papës përshkon oqeanin e lartohet drejt qiellit, duke kërkuar hir për ata që, të mbytur në pluhur, por me lot gëzimi në sy, rifillojnë të jetojnë pas ditëve të tmerrshme, kaluar në ankthin e nëndheshëm. E në sa Papa shqipton këto pak fjalë në gjuhën spanjolle, drejtuar shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, mijëra kilometra larg, nga tuneli i errët del minatori i gjashtë kilian, një nga 33 protagonistët e operacionit delikat të shpëtimit, që preku zemrën e tërhoqi vëmendjen e mbarë njerëzimit, në lidhje të drejtpërdrejt me minatorët përmes televizionit e internetit. Bota mbarë vijon ta ndjekë ngjarjen e jashtëzakonshme, e cila vërehet për herë të parë, pasi mijëra njerëz kanë humbur jetën, pa shpresë shpëtimi, në rrethana të ngjashme, në fund të minierave të shembura. Është një dritare e re, që hapet në jetën e minatorëve. Ngjarja tragjike kthehet në shpresë për të ardhmen e në sinjal të dukshëm, që Zoti ua drejton njerëzve. Atij të Lumit iu lut edhe Papa nga Sheshi i Shën Pjetrit, në sa jetonte shpirtërisht, së bashku me 40 mijë shtegtarët, çastet tejet prekëse të shpëtimit të minatorëve e të gëzimit të familjarëve, në Kilin e largët.







All the contents on this site are copyrighted ©.