2010-10-13 17:07:40

Dita për parandalimin e katastrofave. Ban Ki-mun: “Të bëhen më të sigurta qytetet”


(13.10.2010 RV)Ndryshimet e klimës, urbanizimi, shpyllëzimi dhe ndërhyrje të tjera në ambient rrisin rrezikun e fatkeqësive natyrore, që mund të kërcënojnë gjithë njerëzimin. Kështu shkruan sot Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në mesazhin për Ditën Botërore të parandalimit të katastrofave.
“Më i madhi, më vdekjeprurësi, më i keqi i të gjitha kohrave. I kemi lexuar tepër shpesh këto fjalë në gazetat e sivjetme. I kemi përdorur për të folur mbi tërmetet, përmbytjet, zjarret, por edhe për viktima e shkatërrime ekonomike. Ka shumë mundësi t’i dëgjojmë për vite me radhë, pasi ndryshimet dhe fatkeqësitë e shkaktuara nga klima po shumëfishohen”, lexohet në tekstin e Ban Ki-mun. “Situata ndërlikohet më tej nga ndryshimet në shoqërinë njerëzore. Po urbanizohemi gjithnjë e më tepër. Nëse tërmetet, përmbytjet e stuhitë ishin vdekjeprurëse në të kaluarën, në një botë të urbanizuar, bëhen edhe më kërcënuese”. Sekretari i Pallatit të Qelqit kujton se shumë qytete të botës janë ndërtuar përgjatë brigjeve e kërcënohen nga stuhitë, përmbytjet e nga rritja e nivelit të detit.
Në Azi, mëse 1 miliard persona jetojnë në më pak se 100 km larg detit; në Amerikën Latine dhe ishujt e Karaibeve, dy e treta e popullsisë banojnë në më pak se 200 km larg nga bregu; këtyre u shtohen banorët e rrafshinave që përmbyten lehtë, ose ata të zonave sizmike, apo të rajoneve të shpyllëzuara. “Rreziku i kthimit në viktima fatkeqësish natyrore shtohet pa zhurmë. Katastrofat janë kërcënim për të gjithë – vëren Ban Ki-mun – por natyrisht të varfërit i vuajnë më shumë”.
Në frontin e nismave për të parandaluar këto fatkeqësi janë regjistruar disa hapa përpara. Në majin e kaluar, OKB-ja filloi fushatën “T’i bëjmë qytetet më rezistente”, gjatë së cilës 100 qytete, me një numër të përgjithshëm prej 110 milion banorësh, vunë në jetë 10 rregulla themelore për parandalimin e katastrofave. Rezultatet më të mira i kanë provinca e Albejt në Filipine, prefektura e Hjogos në Japoni, por edhe Bangkoku, Boni, Qyteti i Meksikos dhe Mumbai.
“Pakësimi i rrezikut nga fatkeqësitë natyrore na takon të gjithëve – pohon Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së – dhe ka nevojë për pjesëmarrjen dhe investimin e shoqërisë civile, të profesionistëve si dhe të komunave e qeverive”.







All the contents on this site are copyrighted ©.