2010-10-13 18:59:48

Benedikti XVI ia kushtoi mistikes Anxhela Folinjo katekizmin e audiencës së përgjithshme.


(13.10.2010 RV)Sot, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Racinger i ftoi 40 mijë besimtarët e pranishëm t’i ndjekin me vëmendje sinjalet e Zotit. Zoti ka mijëra mënyra për t’i folur shpirtit të secilit nga ne; na drejton mijëra sinjale, për të na i prekur zemrat. Ta lusim, prandaj, të na ndihmojë për ta përqendruar vëmendjen tek prania e tij në jetën tonë.
Sot të gjithë rrezikohemi të jetojmë sikur të mos kishte Zot, shtoi Papa, i cili vuri në qendër të katekizmit, të Lumen Anxhela da Folinjo, mistike e madhe mesjetare, që jetoi në shekullin XIII. Anxhela, shpjegoi Ati i Shenjtë, në fillim ishte larg Hyjit Atë e Jezu Krishtit. Por më pas u njoh me figurën e Shën Françeskut, që ia zgjoi shpirtin e përgjumur, ia hapi sytë, për të parë të Kryqëzuarin e për ta ndjekur në rrugën e Kalvarit, drejt Hyjit Atë. “Askush nuk duhet të justifikohet se nuk mund ta njohë Zotin; gjithkush mund ta njohë e mund ta dojë Atë!”, shkruan Shenjtorja. Në rrugën shpirtërore të Anxhelës, kalimi nga kthimi në rrugën e Zotit, tek përvoja mistike, nga çka mund të shprehet, tek e pashprehshmja, arrihet falë lidhjes së ngushtë me të Kryqëzuarin, i cili bëhet mësuesi i saj i përsosurisë. Kështu, pra, e nis rrugën e re shpirtërore. Hap pas hapi. Reflektim pas reflektimi. Vegim pas vegimi:
Anxhela da Folinjo e paraqet të jetuarit mistik, pa e vrarë mendjen fare, sepse ndriçimet hyjnore i komunikohen shpirtit të saj krejt papritmas. E ka të vështirë ta shprehë përvojën e saj mistike. Vështirë, të kuptohet prej të tjerëve. Është në një gjendje, që tregon qartë se Mësuesi i vetëm e i vërtetë, Jezusi, jeton në zemrën e çdo besimtari e dëshiron ta pushtojë plotësisht”.
Në të vërtetë, rruga e Anxhelës është kapitëse. Gjatë fazës së parë, shpjegoi Papa, ajo nuk beson se Zoti e do. I vjen turp, kur kujton mëkatet e veta. Tmerrohet, kur mendon se e pret dënimi i amshuar:
“Kjo frikë nga ferri i përgjigjet tipit të fesë, që kishte Anxhela në çastin e kthimit të saj; një fe ende e varfër, pa shumë dashuri hyjnore. E ndjen se duhet t’i dhurojë diçka Zotit për pendesë të mëkateve të veta, por dalëngadalë kupton edhe se nuk ka asgjë për t’i dhuruar, madje se është asgjë para Tij”.
Megjithëse bën një rrëfim të mirë, në shpirtin e Anxhelës, vijoi Benedikti XVI, zhvillohet një betejë e vërtetë: e ndjen se Zoti e ka falur, por edhe se në shpirtin e saj nuk janë zhdukur ende gjurmët e mëkatit; se është e lirë nga e kaluara, por edhe e kushtëzuar prej saj; se i janë zgjidhur leqet e fajit, por edhe se ka akoma nevojë për pendesë. Duhet të bëjë edhe një hap, përpara se të arrijë tek pjekuria shpirtërore, përmes së cilës, pohoi Papa, ndjesa e Zotit e pushton plotësisht shpirtin e saj. Është dhurata më e madhe, falas, që i bën Ati qiellor. E ky hap, është kuptimi i fljimit të Jezusit:
“Çka do ta shpëtojë nga ‘padenjësia’ e nga ‘ferri i merituar’, nuk do të jetë bashkimi i saj me Zotin e zbulimi i së vërtetës, por Jezusi i kryqëzuar, kryqëzimi i Tij për të, dashuria e Tij. Kundron kryesisht Krishtin e kryqëzuar, sepse në këtë vegim shikon të realizuar drejtpeshimin e përkryer: mbërthyer mbi kryq është njeriu-Zot, në aktin më të lartë të mundimit, njëkohësisht edhe akti më i lartë i dashurisë”.
E gjithë përvoja mistike e Shenjtores s’është tjetër, veçse përpjekje për t’i përngjarë përsosurisht Zotit, përmes spastrimit e shndërrimeve gjithnjë më të thella e më rrënjësore. Për ta realizuar këtë dëshirë, ajo është gati të dhurojë gjithë vetveten, shpirt e korp, pa marrë parasysh asnjë dhimbje, asnjë vështirësi. Nuk ia kursen vetes pendesat e trazirat, nga fillimi deri në fund. Dëshiron vetëm një gjë: të vdesë duke mbartur në trup të gjitha dhimbjet, që provoi Zoti-njeri i mbërthyer mbi kryq, për t’u shndërruar kështu, plotësisht, në Të. Ky njëjtësim, shpjegoi Benedikti XVI, do të thotë edhe të jetosh gjithçka që jetoi Jezusi: varfërinë, përbuzjen, poshtërimin, dhimbjen. Sepse drejtpeshimi ndërmjet dashurisë e dhimbjes është krejt i paqëndrueshëm: mund të kalohet shpejt nga dhimbja, në dashuri e nga dashuria, në dhimbje. Binom, ky, që e provoi Krishti në Kryq e, pas tij, të gjithë ata, të cilët e marrin kryqin mbi supe e ecin, prej shekujsh, me vetëdije të plotë, në udhën e Kalvarit. Është kjo udha që të çon nga Kryqi, tek Dashuria, tek Zoti. Prandaj, kujtoi Papa, e gjithë përvoja e saj mistike na çon tek përfundmi se vetëm me Zotin jeta bëhet e vërtetë. E sot, me shembullin e saj, na kujton se duhet t’ia kushtojmë gjithë vëmendjen pranisë së Zotit, për të kuptuar kështu cila është rruga që duhet të përshkojmë, rruga e Zotit e me Zotin. Ta lusim, prandaj, Hyjin, nënvizoi Papa, që të na bëjë ta ndjejmë praninë e tij në shpirt, të na dëshmojë se është, se na njeh, se na do.

Ndërmjet përshëndetjeve të Papës në gjuhë të ndryshme, nënvizojmë atë në gjuhën hungareze, me të cilën Benedikti XVI kujtoi banorët e Kolontarit, fshatit të dëmtuar, më 4 tetorin e kaluar, nga një fatkeqësi e rëndë e natyrës. Lutem, tha Papa, për njerëzit, që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, që u dëmtuan nga balta helmuese, posaçërisht, për ata që humbën jetën.
Nuk mungoi edhe ftesa, në gjuhën polake, drejtuar besimtarëve, që të luten për Sinodin e Kishës kushtuar Lindjes së Mesme, në zhvillim e sipër, këto ditë, në Vatikan.
Përshëndetjen e fundit Ati i Shenjtë ua drejtoi, si zakonisht, të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve, duke kërkuar për ta ndërmjetësimin e Zojës së Fatimës, që u duk për herë të fundit pikërisht më 13 tetor 1917.







All the contents on this site are copyrighted ©.