2010-10-12 14:38:42

Turneu diplomatik i Hillary Clinton në Ballkan.


(12.10.2010 RV)Të ndihmohen Shtetet e Ballkanit e të përshpejtohet integrimi i tyre euro-atlantik. Ky është synimi i turneut diplomatik në Ballkan i sekretares së Shtetit amerikan, Hillary Clinton, e cila sot vizitoi Sarajevën, në Bosnje-Hercegovinë. Pasdite në Beograd do të takojë presidentin serb Boris Tadiç. Nesër kreu i diplomacisë së Uashingtonit, do të vizitojë Prishtinën, ku do të ripohojë mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës.
Sekretarja Clinton në Prishtinë më 13 tetor do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.
Clinton do të vizitojë dhe Graçanicën, ku do të takohet me drejtuesit e kësaj komune.
Pas vizitave në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, Clinton do të ndalet në Bruksel. Kjo është vizita e parë e Hillary Clintonit në Prishtinë që nga ardhja në krye të Departamentit të Shtetit
Gjatë vizitës së sotme në Sarajevë, H. Clinton, i bëri thirrje liderëve boshnjakë, pak ditë pas zgjedhjeve politike të 3 tetorit, të rifillojnë procesin e reformave të nevojshme për integrimin e Vendit në institucionet euro-atlantike që është “mënyra më e mirë për të arritur në një rritje të qëndrueshme e në stabilitetin afatgjatë”.
Duke folur në teatrin kombëtar me një grup studentësh universitarë të ardhur nga të gjitha viset e Bosnjës, Clinton, tha se progresi i deritanishëm që është bërë në ndërtimin e një shteti funksional “është inkurajues megjithëse ende nuk është i mjaftueshëm”.
H. Clinton i ftoi tri komunitetet (serbe, kroate e myslimane) të “përforcojnë institucionet demokratike dhe paqen për të krijuar kushtet për një progres politikë, ekonomik e shoqëror afatgjatë”, duke mundësuar kështu vazhdimësinë e mbështetjes së SHBA-së.
H. Clinton ka takuar sot me dyer të mbyllura, eksponentët e presidencës trepalëshe: myslimanin Haris Silajdxhiç, serbin Nebojsha Radmanoviç dhe kroatin Zheljko Komshiç.







All the contents on this site are copyrighted ©.