2010-10-12 17:05:26

Thirrje e etërve sinodalë në mbrojtje të të krishterëve në Irak. Imzot Varduni: nganjëherë ndihemi të vetmuar


(12.10.2010 RV)RealAudioMP3 Në Sinodin e ipeshkvijve për Lindjen e Mesme tingëlloi e fuqishme thirrja mbrojtjen e të krishterëve në Irak, të cilët janë viktima të luftës, që nuk merren mjaft parasysh nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas vikarit patriarkal të Babilonisë së Kaldejve, imzot Shlemon Vardunit, “për të garantuar praninë e të krishterëve në vend duhet punuar më tepër për paqen e sigurinë. Gjithashtu – tha ai në mbledhjen e përgjithshme – është me rëndësi themelore bashkimi ndërmjet Kishave të Lindjes së Mesme dhe dialogu ndërfetar”. Por ta dëgjojmë vetë imzot Vardunin në mikrofonin tonë:
Solla (në Sinod) përshëndetjen e fëmijëve, të të rinjve, të familjeve irakiane, që presin mbështetje më të madhe. I falenderojmë të gjithë për lutjet e tyre, por vërtet shpesh, jemi ndjerë të vetmuar.
Kur flitet për Irakun, flitet pak për të krishterët…
Fatkeqësisht, ashtu është. Por, ne flasim për të gjithë irakianët, sepse jemi në të njëjtën situatë. Terrorizmi nuk dallon: autobombat, kamikazet, rrëmbimi i njerëzve nuk e dinë nëse kanë përpara të krishterin, apo myslimanin… Por duhet të ngulim këmbë tek të krishterët, sepse të krishterët nuk i bëjnë keq askujt e duan të jetojnë në paqe me të gjithë. Atëherë, pse u bëjnë keq të krishterëve?
Ç’mund të na thoni për faktin se të krishterët janë bërë objektiv i terroristëve?
Them se fanatizmi dhe e keqja e mbjellë në zemrën e terroristëve e sjell këtë. Ekziston edhe urrejtja kundër krishterimit. Prandaj, ne lutemi edhe për terroristët, që Zoti t’u japë hirin e hapjes së mendjes e të zemrës.
Imzot Varduni, a e dinë të krishterët në Irak se po zhvillohet Sinodi për Lindjen e Mesme në Vatikan?
Sigurisht. Kemi folur edhe me laikët. Kemi organizuar një takim me mëse 200 të rinj e të reja e u kemi kërkuar të luten për rezultate të mira të sinodit.
Përsa i përket gjendjes së përgjithshme në Irak: lajmet që vijnë janë më të pakta se disa vjet më parë. Në ç’pikë jemi?
Ka përmirësime, por janë krejtësisht të pamjaftueshme. Përsa u përket mas mediave, do të thosha se vërtet nuk e bëjnë detyrën si duhet, pasi kur ka qindra të vdekur, atëherë flasin, por mjafton që të vdekurit të jenë 10, që lajmi të mos ketë më rëndësi. Kjo është e rëndë! Prandaj, u bëj thirrje mas mediave ta bëjnë mirë detyrën e tyre për të sjellë të vërtetën në botë, për të pajtuar njerëzit, për të vlerësuar edhe gjërat pozitive e për të mbjellë kështu, paqen dhe vëllazërimin.
Nëse do t’u sugjeronit mas mediave një argument pozitiv nga Iraku, cili mund të ishte ky?
Së pari, të krishterët akoma rezistojnë, banojnë aty e jetojnë pavarësisht nga vështirësitë e pavarësisht nga fakti se shumë e kanë lënë Irakun. Së dyti, Kishat janë në aktivitet të plotë pavarësisht nga vështirësitë: katekizmi, takimet me të rinjtë, takimet me të rriturit, kremtimi i funskioneve liturgjike… E pastaj, kishat e shtëpitë tona janë gjithnjë hapur për të gjithë. Pra, rezistojmë, duke u bazuar në Fjalën e Zotit: “Jam me ju deri në fundin e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.