2010-10-12 17:05:43

Imzot Fizikela: një dikaster i ri për të çuar mesazhin e Krishtit në zemrat e atyre që nuk e kuptojnë më.


(12.10.2010 RV)Një dikaster që në fakt nuk është thjeshtë një përgjigje burokratike ndaj shekullarizimit aq shumë të përhapur sot në Evropë dhe në vendet e tjera që e njohin Ungjillin prej kohësh, por përgjigja e Papës Benedikti XVI për ta çuar mesazhin e Krishtit në zemrat e atyre që nuk e kuptojnë më. Ky është, me pak fjalë, objektivi që i ka vënë vetes si pikësynim dikasteri i ri për Ungjillëzimin e Ri, paraqitur sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryetari, kryeipeshkvi Rino Fizikela, i cili iu përgjigj për një kohë të gjatë pyetjeve të gazetarëve.

Nuk kishte nevojë për një dikaster të ri për Ungjillëzimin e ri, si të themi, për të vulosur një herë e mirë dështimin e ungjillëzimit të vjetër, por kishte nevojë urgjente për t’i shoshitur edhe një herë mënyrat e rrugët sesi “të gjindemi gjithmonë e gjithkund” siç lexohet në Motu Proprio të Benediktit XVI – nga ana e Kishës në gjirin e një shoqërie që i vuan pasojat e të ashtuquajturit “eklips të kuptimit të Zotit.” Imzot Fizikela e trajtoi shumë qartë zanafillën shpirtërore të Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, të përkufizuar si një “intuitë profetike” e Papës Racinger e që ecë në hullinë e hapur nga paraardhësit e tij deri në Koncilin II vatikanas:

“Jetojmë në një kohë sfidash të mëdha që ndikojnë jo pak në qëndrimin që mbajnë breza të tërë, si pasojë e përfundimit të një epoke dhe të hyrjes në një fazë të re për historinë e njerëzimit. Shumë elementeve pozitive ku ka impenjim që përputhet me jetën fetare – falë edhe një njohjeje më të thellë të përmbajtjes së saj –i përgjigjen shpeshherë disa forma të “shkëputjes nga feja” si pasojë e një lloj moskokëçarje për fenë shumë të përhapur , që është prelud i një ateizmi të ardhshëm.”.

Kisha me traditë të lashtë që vuajnë nga “shkretëtira e brendëshme” në të cilën zvarritet njeriu i shek. XXI, veçanërisht në zonat ku Ungjilli jeton prej shekujsh, në mos prej mijëvjeçarësh. Në këtë ballafaqim – shpjegoi më tej imzot Fizikela, – do të zhvillohet puna e këtij dikasteri, i cili që sot është në funksionim të plotë.

“Objektivi që në fillim shfaqet si një sfidë e madhe që vjen e i imponohet krejt Kishës për reflektim dhe për të gjetur format e përshtatshme për t’ua çuar edhe njëherë lajmin e mirë atyre që janë pagëzuar por që nuk e kuptojnë më se çdo të thotë t’i përkasësh bashkësisë së krishterë dhe kthehen në viktima të subjektivizmit të kohës sonë duke u mbyllur në një individualizëm të cilit i mungon sensi i përgjegjësisë publike dhe shoqërore.”

Ungjillëzimi i ri, vazhdoi më tej prelati, nuk dëshiron të jetë “një formulë e njëjtë për të gjitha rrethanat” – sepse secila zonë e globit ka mendësinë, kulturën dhe mjedisin e vet – por as edhe “një formulë abstrakte” dhe kjo është e sanksionuar me mënyrën në të cilën Këshilli Papnor do të vihet në lëvizje, domethënë në bashkëpunim me dikastere të tjera të Kuries dhe me ipeshkvijtë e secilit vend:

“Ne do të jemi në kontakt me Konferencat ipeshkvnore dhe kështu, pra, bashkë me Konferencat ipeshkvnore, do të jemi të aftë të gjejmë mënyrat e përshtatshme për të mbështetur këtë veprim baritor që tashmë ka filluar. Duhet të them se në vende të ndryshme, sidoqoftë, mugullojnë prej vitesh nisma të ndryshme të cilat kanë si synim pikërisht temën e ungjillëzimit të ri.”

Tri do të jenë rrugët kryesore të punës: sistemimi i misionit kushtuar ungjillëzimit, promovimi i Katekizmit të Kishës Katolike, i cili në 2012 do të kremtojë 20-vjetorin e themelimit, dhe përdorimi me synime apostolike i mediave të vjetra e të reja. Gazetarëve që mendonin se dikasteri i ri mund të jetë një superstrukturë e tipit burokratik kundrejt organeve ekzistuese, Imzot Fizikela iu përgjigj me këto fjalë:

“Nuk besoj se Papa Benedikti XVI është njeri i burokracisë. Benedikti XVI është njeriu i kumtimit, njeri që me një zgjuarsi të thellë teologjike dhe me kulturë diti të hetojë këtë hapësirë për impenjimin e Kishës në një mënyrë konkrete në shërbim të misionit që Kisha ka gjithmonë.”

Ngulmuese pyetjet mbi “gjeografinë” e dikasterit. Imzot Fizikela shpjegoi se “mbase” Evropa është në krye të klasifikimit të kontinenteve si më shekullarja. Në fakt do të bëhet matja e largësisë ndërmjet jetës kishtare dhe kontekstit shoqëroro-kulturor në të cilin ajo do të shqyrtohet. Mbi të gjitha në lidhje me shekullarizimin në Amerikën Latine, për shembull, do të vlerësohet prej më afër dukuria e sekteve fetare. Sidoqoftë, përfundoi Imzot Fizikela, dikasteri për Ungjillëzimin e ri është një reagim ndaj kësaj gjendjeje:

“Unë besoj se ky është sinjali që Papa dha, pra, që të mos heshtim për shkëputjen e shumë besimtarëve nga Kisha. Nëse kemi heshtur, përpara kësaj gjendjeje të thithjes pasive të efekteve të shekullarizmit, tani është koha të themi fjalën tonë të fortë e të guximshme, sepse jemi lajmëtarët e Ungjillit.”







All the contents on this site are copyrighted ©.