Sot me 11 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Aleksandër Sauli
(11.10.2010 RV)Zoti e kishte pajisur me të gjitha të mirat. Ishte bir i një familjeje
fisnike gjenoveze me lidhje të fuqishme, në saje të të cilave, krejt i ri, u emërua
pazh i oborrit mbretëror të Karlit V, sundimtar i Evropës e i Amerikës, dmth i mbarë
botës. Duhet të nisej, prandaj, për të filluar detyrën e re. Por ai nuk pranoi. Në
vend që të shkonte në oborrin e mbretit, 17 vjeçari kërkoi të hyjë në radhët e Klerikëve
Rregulltarë të Shën Palit, të njohur me emrin barnabitë, sepse banonin pranë kishës
milaneze të Shën Barnabës. Ishin priftërinj që i lidhte një rregull, që jetonin në
bashkësi e kishin si detyrë të studionin e të jepnin mësim, me një fjalë, ishin pikë
referimi për risimin e jetës fetare. “Kërkoj të pranohem – tha i riu – sepse dëshiroj
t’i bindem plotësisht thirrjes së Zotit”. E në shenjë bindjeje, iu nënshtrua një prove
nga më të pakëndshmet: doli në Sheshin e Tregtarëve i veshur si fisnik, me një kryq
të rëndë mbi shpatulla, duke i shkandulluar e duke i befasuar të gjithë ata që e panë
këtë shfaqje të pazakontë. U bë, kështu, nismëtar i një tradite: “Që atëherë – shkruan
Atë Luis Irilia Roazio - mbartja e kryqit bëhet pjesë e pandarë e traditës sonë rregulltare,
sepse çdo barnabit e nis vitin e noviciatit duke e mbartur kryqin nga bashkësia në
Kishë”. Si u shugurua meshtar, u bë mësues dhe edukator i barnabitëve, të thirrur
për të qenë njerëz të kryqit e të librit, të fesë e të kulturës, që edhe në shekullin
XXI lidhen në mënyrë të pandarë njëra me tjetrën, ashtu si në shekullin XVI, kur jetoi
e punoi Shenjti i Kryqit i cili sapo i kishte mbushur 34 vjeç, kur u zgjodh epror
i përgjithshëm i Urdhrit. U bë edhe rrëfyes i Shën Karl Borromeut, kryeipeshkëv i
asokohshëm i Milanos. Në vitin 1567 Piu V e emëroi ipeshkëv të Aleries në Korsikë,
ku iu desh të merrej me gjithçka, duke përfshirë edhe shuarjen e urisë së besimtarëve,
viktima të thatësirës e të piratëve. Në këtë veprimtari të gjithanshme, vëmendje të
dorës së parë i kushtoi formimit të priftërinjve të përgatitur në të gjitha drejtimet,
të përshpirtshëm e të kulturuar, të denjë për të kryer misionin delikat të ungjillëzimit.
Për njëzet vjet me radhë qe atë e mësues për Korsikën. E do të kishte vdekur aty,
në se nuk do t’i duhej t’i bindej nxënësit të tij, që më pas u bë papa Gregori XIV,
i cili e transferoi në Pavi. U bind, ndonëse e ndjente se, pas viteve e gjata, të
ngarkuara me punë e shqetësime të të gjitha natyrave, nuk e kishte më energjinë e
parë. E megjithatë filloi menjëherë vizitën baritore: vijoi kështu ta mbartë kryqin,
derisa sa erdhi edhe për të dita e fundit. Apostulli i Korsikës vdiq në Kalozo Asti,
në një dhomë të varfër në katin përdhes të një shtëpie punëtorësh. Trupi i ipeshkvit
u mbart në katedralen e Pavisë, ku edhe u varros. U shpall shenjt nga Piu X në vitin
1904.