2010-10-11 15:24:25

Në Engjëllin e Tënzot, Benedikti XVI i bën thirrje Kishës së Lindjes së Mesme të jetë mjet pajtimi


(11.10.2010 RV)Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në sheshin e Shën Pjetrit, plot me besimtarë, Benedikti XVI foli sërish për Sinodin e Lindjes së Mesme, duke uruar që Kisha e rajonit të jetë shenjë e mjet bashkimi e pajtimi:
“Në ato vende, të karakterizuara fatkeqësisht nga ndarje të thella e nga konflikte të vjetra, Kisha është e thirrur të jetë shenjë dhe mjet i bashkimit e i pajtimit, sipas shembullit të bashkësisë së parë të Jeruzalemit, në të cilën të gjithë ata, që ishin bërë besimtarë, kishin një zemër e një shpirt të vetëm”.
Papa i ftoi besimtarët t’i luten Zotit, që Sinodi të shoqërohet me dhurata të shumta të Shpirtit Shenjt. Pastaj, u ndal në lutjen e Rruzares, së cilës i kushtohet muaji i tetorit. Një lutje, tha Papa, e lashtë, por gjithnjë e re.
“Është lutja e zemrës, në të cilën përsëritja e “Të falemi Mari” e çon mendimin dhe dashurinë drejt Krishtit, duke u bërë kështu përgjërim plot besim në Nënën e Tij dhe tonën. Është lutje, që na ndihmon të meditojmë mbi Fjalën e Zotit e të marrim Kungimin eukaristik, sipas shembullit të Marisë, e cila ruante në zemër gjithçka bënte e thoshte Jezusi, si edhe vetë praninë e Tij”.
Virgjërës së Shenjtë, kaq të dashur e të nderuar në Lindjen e Mesme, Papa i besoi sërish asamblenë sinodale e u lut që të krishterët e zonës të bashkohen e të japin dëshminë e tyre ungjillore në paqe e dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.