2010-10-11 17:48:43

E drejta e BE-së dhe statusi i konfesioneve fetare theksohet gjatë një takimi pranë Qendrës së Studimeve për entet kishtare, në Romë.


(11.10.2010 RV)“E drejta e BE-së dhe statusi i konfesioneve fetare” ishte tema e takimit, organizuar në Romë nga Cesen (Qendra e Studimeve për entet kishtare). I pranishëm, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, imzot Aldo Xhordano, si dhe shumë referues të tjerë. Ndërmjet tyre, sekretari i përgjithshëm i Comece-s (Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian), imzot Piotr Mazhurkieviç. Në intervistën, dhënë me këtë rast Radio Vatikanit, flet për perspektivat e reja që hapen, falë nenit 17 të Traktatit të Lisbonës, me të cilin Bashkimi Evropian reformoi bazat kushtetuese të institucioneve. Ky nen ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian e Kishave:
Përgjigje: - Në nivelin juridik, Traktati i Lisbonës dhe neni 17 e ndryshuan situatën tonë. Nga njëra anë, para Traktatit të Lisbonës, ne kishim me institucionet evropiane një dialog të tipit informal. Ishte një praktikë, rezultatet e së cilës u arritën pas një a dy vjetësh. Mund të them se për institucionet u hap rruga e lidhjeve me ne në mënyrë publike. E kjo është një gjë e re. Me sa duket, gjatë këtij muaji do të kemi takime me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme. Do të flasim e do të reflektojmë së bashku për nenin 17, për detyrimet që kanë institucionet e për strukturat, që duhet të merren me këtë dialog. Dy janë vërejtjet më të rëndësishme mbi këtë nen. Së pari, Bashkimi Evropian nuk ka kompetenca mbi fenë e as mbi statusin e Kishave në vendet anëtare. Fituam garancinë se Bashkimi Evropian, në të ardhmen, nuk do të marrë asnjë nismë për harmonizimin e kësaj së drejte, të kësaj gjendjeje shumë të ndryshme e të kësaj situate juridike të Kishave evropiane. Së dyti, institucionet janë të detyruara të dialogojnë me Kishat, e në këtë çast flitet shumë për dialog, për shkëmbime opinionesh, për këndvështrimet e për idetë.
Veç perspektivave, që hap Traktati i Lisbonës, është tejet interesante çështja e të drejtave të reja, ose atyre, që pandehen si të tilla e që mund të afirmohen, pranë të drejtave, të njohura nga Konventa e të drejtave të njeriut, e cila më 3 nëntorin e ardhshëm mbush 60 vjet. Për këtë argument, të dëgjojmë profesoreshën e Universitetit të Milanos, Marta Kartabia:

Përgjigje: - E veçanta e kohës sonë është se këtyre kërkesave për rregullimin juridik, shpesh u jepet përgjigje me termat e të drejtave individuale, të drejtave të reja individuale, që nuk krijohen nga hiçi, por rrjedhin nga disa të drejta të shkruara, ekzistuese, përmes evolucionit të interpretimeve ose krijimit të të drejtave të reja.

Pyetje: - Pikërisht këto ditë, Këshilli i Evropës hodhi poshtë një rezolutë mbi të drejtën e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, ose më mirë të themi, një rezolutë përmes së cilës bëheshin përpjekje për të minuar të drejtën e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, duke çuar përpara instancën e së drejtës për abort e, si pasojë, edhe detyrën e mjekëve për t’i ndihmuar gratë, që duan të abortojnë. Vërehet një farë prirjeje për t’i rishikuar ato, që njihen si vlera themelore e, sidomos, ndoshta, për të krijuar të drejta të reja, që mund të mos e kenë më bazën e njohur nga Konventa evropiane e të drejtave të njeriut, sepse në këtë rast, e drejta për të abortuar nuk njihet. Ekziston e drejta për jetën; e ligjshmëritë kombëtare e njohin këtë të drejtë. Cila është, në këtë rast, sfida?

Përgjigje: - Problemi serioz është se këto të drejta të reja nuk hyjnë përmes reflektimit të përgjithshëm mbi ndryshimet që ka pësuar shoqëria jonë, e prej këndej, edhe përshtatjes së dokumenteve të shkruara në gjysmën e shekullit të kaluar, si Konventa, me kushtet e reja, por janë të drejta që shtohen nga ana e organizmave ndërkombëtare me rrugën e ligjshmërisë, ose përmes këtyre rezolutave. Duken të drejta të reja- e nuk flitet për të drejtën e abortit. Por duhet pasur parasysh se shpesh ndryshon vetëm gjuha. Nuk flitet për abortin, por për shëndetin riprodhues, gjë që krijon shumë dyshime. Në se ne shikojmë vetëm problemin e ndërprerjes së shtatzanisë, çdo lloj kundërshtimi për shkak të ndërgjegjes, duket sikur mund të pajtohet me kërkesën e mbrojtjes së jetës.

Pyetje: - Për fat të mirë, në këtë rast u hodh poshtë...

Përgjigje: - Në këtë rast e mora edhe unë lajmin, që më befasoi kënaqshëm, sepse në një farë mënyre prirja e debatit po shkonte në drejtim të kundërt.







All the contents on this site are copyrighted ©.