Me 9 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Dionizin, ipeshkëv e shokët, martirë
Emri i Shën Dionizit, që Kisha katolike e kremtoi sot, duket në disa dokumente të
rëndësishme, të gjitha të shkruara rreth shekujve V-VI, siç janë ‘Jeta e Shën Gjenovefës’,
ku flitet për ndërtimin e Kishës së Shën Dionizit në Paris, në vitin 475; vepra e
historianit-poet, Venancio Fortunato, vdekur rreth vitit 600, që përshkruan edhe ai
kishën e Shën Dionizit në Paris dhe një kishë tjetër kushtuar Shenjtit në Bordo e,
së fundit, ‘Historia e frankëve’ e Shën Gregorit të Turit (vdekur më 594), që përshkruan
me hollësi jetën dhe martirizmin e Shën Dionizit. Çuditërisht në veprat e këtyre
autorëve, mungojnë të dhënat për shokët e tij të martirizimit e të apostullimin, që
ishin Rustiko, prift edhe Eleuteri, diakon. Emrat e tyre duken për herë të parë në
shekullin VI-VII në “Martiriologun Jeronimian”. Sipas traditës, Shën Dionizi qe
ipeshkvi i parë i Parisit, i dërguar në Gali nga papa Fabiani në vitin 250. U martirizua
së bashku me Rustikon e me Eleuterin. Reliket e Shenjtit ruhen në bazilikën ngritur
mbi varrin e tij në vitin 495 nga Shën Gjenovefa. Pranë kësaj bazilike, në shekullin
VII, u ngrit edhe abacia e njohur, që mori emrin e Shën Dionizit. Emri Dioniz vjen
nga latinishtja e do të thotë: i kushtuar Dionizit apo hyjnisë pagane, Bakut. Simbolet
e Shenjtit janë shkopi baritor e palma. Është i pranishëm në Martiriologun Romak.