2010-10-09 13:34:01

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të 'C'


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia e e kësaj së diele na propozon temën e fesë, të mrekullisë dhe të mirënjohjes e të falenderimit tonë ndaj Atij që është Bamirësi ynë më i madh, Shpëtimtari hyjnor. Jezusi në pjesën e Ungjillit të Lukës ( kreu 17) të kësaj së diele shpreh pëlqimin e tij të sinqert ndaj samaritanit i cili, në dallim prej shokëve të vet të shëruar nga gërbula, erdhi menjëherë për të shpreh mirënjohjen, pra falënderimin: "Nuk u gjet kush tjetër që të kthehej për t'i dhënë lavde Hyjit, përpos këtij të huaji". Po kjo tematik e mirënjohjes dhe e falenderimit del në pah edhe në dy leximet tjera të liturgjisë së kësaj së diele .
Në leximin e parë nga Libri i dytë i Mbretërve (2Mbr 5,14-17) generali arameas Naamani i Siros, përmes profetit të JHWH shërohet në mënyrë të mrekullueshme nga gërbula, e shpall lavdinë e Hyjit të Izraelit e atij i paraqet dhuratat e veta dhe aderimin e përheshëm të tij, pra besimin në Të.
Në leximin e dytë nga Letra e Shën Palit drejtuar Timoteut, apostulli i popujve, i burgosur në Romë, i dërgon nxënësit të vet Timoteut testamentin e vet shpirtëror, si "këngë të martirit" që të kujtohet për veprën shpëtimpurese që Jezu Krishti Zot ka realizuar për të gjithë njerëzit me vdekjen dhe ngjalljen e Tij, e këndej e fton Timoteun të impenjohet për këtë kauzë deri në atë pik sa të pësoi, sikur Pali, prangat e përçmimit, i bindur se të vdesësh për Krishtin e më Krishtin, do të thotë me Të edhe do të ngadhënjeshë e të ringjallesh.
Naamani i Siros besonte se do ti duhej të bënte kush e di se çka për të merituar shërimin. Ndërsa Elizeu, i frymëzuar prej Zotit, i thotë thjesht të shkojë e të lagej në ujra të Jordanit. Fillimisht Naamani është i zhgënjyer, i mërzitur ( gjithçka këtu e me kaq? A mos ndoshta nuk ka lumenj në tokën e tij?); mirëpo pastaj ai ndryshon mendjen dhe sipas porosisë, zhytet në ujra: e gërbula zhduket. Duke zbuluar gjalërinë e Fjalës Hyjnore, Naamani kthehet me gjithë zemër te Zoti. E njëjta fjalë është e gjallë edhe për ne sot. (2Mbr 5,14-17)
Leximi i dytë flet për Palin që gjenden i burgosur për shkak të Ungjillit në Romë, "mirëpo fjala e Zotit nuk është në pranga!" e apostulli, megjithëse në pranga porsi keqëbërës, e transmeton dhe përhapë larg Fjalën e Zotit, klithë para të gjithëve: para Timoteut, para paganëve, para nesh, njerëz të Tremijë vjeçarit (2 Tm 2.8-13). Sot me mjete të jashtëzakonshme të komunikimit shoqëror që kemi, edhe ne jemi të thirrur që Fjalën e Zotit ta përhapim sa më larg e t'ia kumtojmë qartë e bindshëm të gjithë njerëzve kudo në mbarë botën.
Nuk janë etiketat e jashtme e të dukshme (judenjë, paganë, të krishtërë) që na garantojnë shpëtimin. Zoti – e njeriu që rregullohet me kriterin e së vërtetës e të dashurisë – shikon përherë zemrën, jo patentin e pastërtisë ligjore. Në tregimin ungjillor të kësaj së diele nga shën Luka, është pikërisht një samaritanas, një i pafe, një që nuk beson, ai që tregon mirënjohjen e vet të ushqyer nga feja në Zotin që e ka shëruar. Megjithëse jo besimtar, samaritani kur fitoi shërimin, u kthye plot mirënjohje e besim te Zotëria Jezus për ta falenderuar për dhuratën e shërimit. Nuk është hera e parë që një samaritanas bënë figurë të mirë në Ungjill, që tregohet faqe bardhë dhe bëhët shembull për gjithë ne.
Më tepër mbi leximet biblike të kësa së diele, mund të dëgjoni këtu........RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Mbr 5, 14-17

Naamani është një gjeneral sirian, armik i Izraelit, është i gërbulur, dhe askush nuk arriti ta shërojë. Një skllave hebraike i sugjeron t’i drejtohet një profeti hebre.
Naamani pranon të paguajë dhe të poshtërohet përpara një armiku. Profeti Elize nuk pretendon asgjë prej tij dhe e urdhëron të lahet në Jordan. Është e kotë të bësh shumë gjëra për të qenë një besimtar i vërtetë: mjafton të mësosh të pranosh dhuratat.

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 98

Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit
---- ---- ----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
---- ---- ----
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.
---- ---- ----
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
---- ---- ----

Leximi i dytë 2 Tim 2, 8-13

Në jetë është e nevojshme të luftosh, Ungjilli mund të të dërgojë në burg. Fjala e lirë e Jezusit të kryqëzuar e ka dërguar Palin në burg dhe ka zbuluar fuqinë e saj të vërtetë. Një mesazh, po të mos ngjallte kundërshtime nuk do të ishte i vërtetë, por do të ishte një tradhëti. Jezu Krishti është arsyeja jonë e vërtetë për të jetuar dhe për të shpresuar, sepse ka vdekur për ne.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit simbas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrësesi nuk mund ta mohojë vetveten!
Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë;
shpallni vepra e madhërueshme të Atij që ju thirri
nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.

Ë Ungjilli Lk 17, 11-19

Nëntë të gërbulurit e parë të shëruar prej Jezusit, të shqetësuar për t’iu bindur përshkrimit të ligjeve për të vërtetuar shërimin e tyre, kanë preferuar më shumë të binden sesa të falënderojnë atë që i ka shëruar. I dhjeti i gërbulur përkundrazi, nuk i nënshtrohet provimit të ligjit dhe preferon lirinë për të falënderuar. Besimi lind nga njohja e dhuratës së Hyjit dhe shprehet nëpërmjet një falënderimi të pafund.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.