2010-10-08 13:59:10

Papa Benedikti XVI priti Nicolas Sarkozy: Lindja e Mesme dhe ekonomia në qendër të bisedimeve mbajtur në Vatikan.


Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë, në Vatikan, presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy. Në qendër të bisedimeve të përzemërta, informon një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, “kanë qenë tema të politikës ndërkombëtare, si procesi i paqes në Lindje të Mesme, situata e të krishterëve në Vende të ndryshme e zgjerimi i përfaqësive të zonave të ndryshme të botës në Organizmat multilaterale”.
Në vijim, “është nënvizuar rëndësia e përmasës etike e sociale të problematikave ekonomike, në perspektivën e propozuar nga Enciklika Caritas in Veritate”. Papa e presidenti, vijon deklarata, kanë kujtuar udhëtimin apostolik të Atit të Shenjtë në Lurdë e Paris në vitin 2008 e vizitën e vet Sarkozy në Romë një vit më parë. Së fundi është “ripohuar vullneti i anasjelltë për mbajtjen e një dialogu permanent në nivele të ndryshme institucionale e për të vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin në mënyrë ndërtuese në çështje që janë në interes të përbashkët”.
Pas bisedimeve me Papën, presidenti francez Sarkozy është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga imzot Dominique Mamberti, sekretar për Marrëdhëniet me Shtete.







All the contents on this site are copyrighted ©.