2010-10-07 11:47:17

Papa priti në takim zëvendës presidentin e Iranit


Papa Benedikti XVI dje në mbarim të audiencës së përgjithshme, në studion e Sallës së Palit VI në Vatikan, priti në takim shkëlqesinë e tij zotin Hojjat ol Eslam Haj Sayyed Mohammad Reza Mir Tajjadini, zëvendës president i Republikës Islamike të Iranit, së bashku me delegacionin përcjellës.
“Është fjala për një takim të shkurt” – pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit atë Federiko Lombardi – që pati si temë dorëzimin e një mesazhi të presidentit të Iranit, Mahmoud Ahamdinejad”. Në letër, kreu i Shtetit iranian shpreh vlerësimin e tij për ndërhyrjen e Selisë së Shenjtë kundër planit të djegies së Kuranit me rastin e përvjetorit të atentateve të 11 shtatorit, duke nënvizuar nevojën e një bashkëpunimi kundër islamofobisë në Perëndim.
Nuk është hera parë që përfaqësues të qeverisë apo ambasadorë iranianë kërkojnë audiencë për të dorëzuar mesazhe të autoriteteve të larta të Vendi, që gjithsesi – saktësoi zëdhënësi i Vatikanit – kanë të bëjnë me “çështje që i përkasin dialogut ndërfetar apo parimeve të përgjithshme, e jo doemos fakteve të aktualitetit”. Si, për shembull, fati i Sakineh, gruas iraniane të dënuar më vdekje për shkelje të kurorës së martesës, në favor të së cilës, Selia e Shenjtë pati ndërmarrë, kohë më parë, nisma diplomatike.







All the contents on this site are copyrighted ©.