2010-10-07 10:32:49

Festa e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës


Kurorë kremtimesh kushtuar Virgjrës Mari, Nënës Hyjnore, Zojës Rruzare në bashkësinë Kishtare në Bishtazhin të Gjakovës në Kosovë, ku si çdo herë, edhe si vjet Mesha e festës së Zojës Rruzare më 7 tetor është e veçantë me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të besimtarëve nga të gjitha viset e Venit. Kësaj radhe Meshën solemne e kryeson françeskani Atë Anton Ndua ofm gvardjan i Etërve Françeskanë të Gjakovës e famullitar i Kishës së shën Pjetrit e Palit të këtij qyteti, në bashkë kremtim me don Rrok Gjonlleshaj, famullitarin e Bishtazhinit e me meshtarë e rregulltarë tjerë.
Besimtarët e kësaj bashkësie janë përgatitur për kremtimin e Pajtores Qiellore me një treditësh shpirtëror udhëhequr nga don Prenk Lazri e don Dominik Qerimi. Festa e Zojës Rruzare në bashkësinë Kishtare të Bishtazhinit është një kremtim shpirtëror vërtet i fortë e prekës, me një pjesëmarrje të madhe e të thellë shpirtërore të besimtarëve dhe një takim vëllazëror mes bijve të kësaj Kishe famullitare e të besimtarëve të trevave kosovare. Edhe sot rreth elterit të Zojës rruzare u mblodhën me mijëra e mijëra besimtarë nga të katër anët e Vendit.
Të kujtojmë se lutja Mariane e Rruzares Shenjte të çon drejtpërdrejtë te Jezusi. Shqiptimi i uratës së Rruzares është lutje bisedë me Zojën e Bekuar mbi të Birin e saj e shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. E në sa bisedojmë me Nënën e Krishtit, e ndjejmë nevojën të lidhemi e të bashkohemi me vetë Jezusin. Ata që i luten Marisë, e ndjejnë menjëherë se sytë e tyre nuk mund të ndalohen vetëm në fytyrën e Nënës, sepse Nëna lidhet ngushtë me të Birin, Jezu Krishtin e kështu duke e lutur Rruzaren, ne vihemi në kontakt me Zojën e Bekuar e me Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin.
Më tepër mbi kremtimin e sotëm të festës së Zojës Rruzare në fshatin Bishtazhin, ta dëgjojmë famullitarin e kësaj bashkësie kishtare, don Rrok Gjonlleshaj në mikrofonin e Radio Vatikanit.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.