Urata e Rruzares Shenjte është pasqyrim i Ungjillit, na njeh me misteret e Krishtit.
(06.10. 2010 RV)Sonte Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare e me
këtë festë, Kisha në një farë mënyre përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar
Virgjërës Mari. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim
çdo ditë për të mirën tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi
gjithnjë e më mirë dhe nga afër me jetën e veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit.
Pra duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar
misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit Zot. Rruzarja, mund të themi se
është pasqyrim i Ungjillit. Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, pa e ndie në
shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit (Mt 11, 27).
Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së Pjetrit thotë:
“As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt 16, 17). Pra,
është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për ta pranuar është i nevojshëm
dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e nevojshme e
dijes mbi këtë fshehtësi feje. Në lutjen e Rruzares flitet mbi disa momente të
rëndësishme nga jeta e vepra e Jezu Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit të
tij. Duke lutur Rruzaren e shenjtë, ne meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore
të Krishtit, për çka flasin shenjat e gëzimit, pastaj mbi mundimet dhe vdekjen e tij,
për çka flasin shenjat e mundimit, pastaj për Ngjalljen triumfale të Krishtit, për
çka flasin shenjat e lumturisë, së fundi përmes Rruzare meditojmë edhe mbi disa momente
nga jeta publike e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës. Shenjat e gëzimit Cikli
i parë është i karakterizuar me gëzimin për ngjarjen e Mishërimit të Birit të Zotit,
Jezu Krishtit. Përshëndetja e Engjëllit Gabriel drejtuar Virgjrës Mari në Nazaret
është përshëndetje që shpreh gëzimin mesianik: “Gëzohu o Mari”; në takimin e Marisë
me Elizabetën prapë shprehet gëzimi: “Prej gëzimit i kërceu foshnja në kraharor (Lk
1, 44). Pastaj lindja e Jezusit e shpallur prej engjëjve si “gëzim i madh” (Lk 2,
10). Dy shenjat e fundit, paraqitja në tempull dhe gjetja e Krishtit 12-vjeçar në
tempull, sa janë momente gëzimi aq janë edhe momente dramatike. Simoni plak profetizon
se një shpatë do t`ia shporojë zemrën Zojës, ndërsa Krishti 12-vjeçar në tempull dëgjon,
diskuton me dijetarët, në të vërtetë ai përgatitet që me dijeninë hyjnore të mësoj
të tjerët. Shenjat e dritës Prej jetës fëmijërore të Krishtit në Nazaret
arrijmë te jeta publike e tij, apo te shenjat që mundë të quhen “shenjat e dritës”.
Ai është “Drita e botës” (Gjn 8, 12). Papa zgjedhë këtu momente interesante nga jeta
e Krishtit dhe i`a paraqet bashkësisë së krishterë për meditim. Këto janë: 1. Pagëzimi
në Jordan (Ati e shpall Jezu Krishtin “Biri im i dashur” (Mt 3, 17); 2. Dëftimi në
dasmë në Kanë ( Me intervenimin e Marisë Krishti shndërron ujin në verë dhe të pranishmit
aftësohen që të besojnë (Gjn 2, 1-12); 3. Shpallja e Mbretërisë së Hyjit dhe thirrja
në kthim (Mk 1, 15), (bëhet fjalë për faljen e mëkateve për të gjithë ata që me fe
e pranojnë Krishtin (Mk 2, 3-13; Lk 7, 47-48); 4. Shndërrimi i Krishtit ( Shenjë e
dritës shndërrimi i Krishtit para apostujve në malin Tabor. Zoti i porositë apostujt
që t`i mbesin besnik Krishtit edhe në momente të vështira (Lk 9, 35); dhe në fund,
5. Themelimi i Eukaristisë (shenjë drite dhe shprehje sakramentale e misterit të pashkëve,
sepse, përmes Eukaristisë, Krishti na shndritë duke na ushqyer me Korpin dhe Gjakun
e vet. Kështu Ai “deri në fund” e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh (Gjn 13, 1). Shenjat
e mundimit Në botën e krishterë gjithmonë janë të pranishme vepra të mëshirshme,
përkushti të ndryshme që vijnë në shprehje sidomos gjatë kohës së Kreshmëve, sidomos
përmes Udhës së Kryqes, gjatë së cilës meditojmë mbi shenjat e mundimit. Krishti në
kopsht të Gjetsemanit ndodhet para gjitha tundimeve dhe mëkateve të njerëzimit për
t`i thënë Atit: “U bëftë jo vullnesa ime, por vullnesa jote” (Lk 22, 42). U dorëzohet
njerëzve, të cilat e rrahin dhe e mundojnë. Ngjitja e tij në Kalvar me kurorë ferrash
në krye, kryqëzimi dhe vdekja e tij në Kryq bëjnë që për Krishtin të thuhet: Ecce
homo - Ja njeriu! Kush don ta njohë njeriun, duhet ta ketë të çartë se ai na ka dashur,
edhe atë mu deri në Kryq (Fil 2, 8). Shenjat e lumturisë Meditimi mbi
Krishtin nuk guxon të ndalet te fakti se Ai është kryqëzuar, për arsye se edhe më
me rëndësi është se Ai është Ringjallur. Përmes meditimit mbi Ringjalljen e tij më
mirë e zbulojmë arsyen e fesë sonë. “Sikur Krishti të mos ishte ngjallur i kotë është
predikimi ynë - i kotë besimi juaj” shkruan shën Pali ( 1 Kor 15, 14). Në qendrën
e këtyre shenjave, pas Ringjalljes dhe Ngritjes në qiell është ardhja e Shpirtit Shenjt
Ditën e Rrëshajëve. Apostujt e bashkuar dhe me ta Maria, me fuqinë e Shpirtit të Zotit
janë të gatshëm për misionin e ungjillëzimit. Shenja e katërt dhe e pestë, Ngritja
e Zojës në qiell dhe kurorëzimi i saj Mbretëreshë e Engjëjve dhe e Shenjtërve, janë
si elemente të cilat na bëjnë të kuptojmë se si pjesëtarë të Popullit të Zotit, jemi
shtegtarë në histori dhe presim bashkimin në lavdi me Atin qiellor.