2010-10-06 16:19:28

Thirrje e feve nga Barcelona: mos e përdorni emrin e Zotit për urrejtje!


Përfundoi mbrëmë në Barcelonë të Spanjës, Takimi i organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, “Njerëz e fe”, i cili trashëgon frymën e Takimit të Asizit, ku në vitin 1986, Gjon Pali II mblodhi për t’u lutur për paqen njerëz të feve të ndryshme. Edhe dje, përfaqësues të të gjitha traditave fetare nënshkruan një thirrje për paqen, ku dialogu e lutja përcaktohen si mjete për t’i dhënë fund urrejtjes, konflikteve e ndarjeve. Takimi, që filloi më 3 tetor, pati këtë vjet si temë: “Të jetojmë sëbashku në kohë krize. Familja e popujve, familje e Zotit”. I ardhshmi do të bëhet në Munih të Gjermanisë, më 11 shtator 2011, dhjetë vjet pas ditës, që i dha shtysën një periudhe dhune e terrori.
Për një bilanc mbi këto takime ndërfetare në frymën e Asizit, të dëgjojmë një ndër themeluesit e Bashkësisë së Shën Egjidit, ipeshkvin e Ternit, imzot Vinçenco Palja:

Duke parë si ishte bota 25 vjet më parë, duke parë si është tani e duke parë edhe përparimin e jashtëzakonshëm që kanë bërë përgjegjësit e feve të ndryshme, duhet të themi se rruga ishte më se e frymëzuar, madje, do të thosha, e udhëhequr nga Shpirti i Zotit. Nganjëherë, para problemeve, ose sfidave të mëdha që na kanë dalë përpara – si ajo e 11 shtatorit – pyesim veten: “Nëse nuk do të ishte fryma e Asizit, ndoshta, e keqja nuk do të kishte gjetur asnjë pengesë”. Sot, spiralja e së keqes ndeshet në një pengesë: është pengesë e ndërtuar nga burra e gra vullnetmirë. Ja përse, sot falenderojmë Zotin, sepse i ka shtyrë shumë burra e gra të takohen, vit për vit, që kjo frymë të frynte për të shuar shumë zjarre, zjarre dhune, që fatkeqësisht vazhdojnë të ndizen. Por rruga e paqes, përmes takimit e dialogut, mendoj se tashmë është e pandalshme e kjo, falë edhe mençurisë e forcës së Kishës Katolike.

Në këtë rrugë janë bashkuar me ju shumë persona. A ka ndonjë, që nuk e prisnit kurrë, e megjithatë ka ardhur në takimet e Shën Egjidit?

Duhet të them se në vitin e parë – pra më 1987 – po largoheshin nga ky karvan myslimanët, vetëm sepse ishte i pranishëm një hebre. Por më pas, erdhën shumë, që as i kishim imagjinuar. Njerëzit, që bashkohen me ne, janë edhe jo besimtarë, që kanë ndjerë dëshirën për ta njohur fenë. Sa herë, ata më kanë thënë se feja ka diçka më shumë, që prek zemrat, pa asnjë lloj kufiri. Këta miq shpjegojnë se për arsyen e jo besimtarit, kjo është shkandulluese, por në këtë rast, është pozitive, sepse u jep të kuptojnë se arsyeja ka kufi, se feja ose misteri është i nevojshëm.

A nuk rrezikojnë fetë të mbyllen në vetvete, në situatën e sotme?

Është e qartë se më tepër se për fetë, flasim për besimtarët me fe të ndryshme. Unë mendoj se nëse besimtarët hyjnë thellë në fenë e tyre, shtyhen ta hapin zemrën e jo ta mbyllin. Mbyllja është fryt i egoizmit, i mungesës së inteligjencës e edhe i frikës, ndërsa në thellësitë e zemrës së çdo njeriu fshihet dëshira për Zotin, që e shtyn të dalë nga vetvetja, të shohë në thellësi ose në lartësi, gjithsesi t’ia hapë zemrën trashendencës. Ja përse, detyra e rëndësishme, që u takon të krishterëve, është të ndihmojnë jo vetëm vetveten, por edhe besimtarët e tjerë, të zbulojnë atë Fjalë, përmes së cilës gjithçka është krijuar, atë Fjalë, që na shtyn të marrim rrugën drejt zbulimit të Zotit, si Atë i të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.