2010-10-06 14:59:44

Papa në audiencën e përgjithshme: thellimi i miqësisë me Krishtin do të thotë të arrihet lumturia. Ftesë për të vlerësuar lutjen e Rruzares


(06.10.2010 RV)Edhe kësaj radhe, ishte kuvendi i Heftës, në rajonin gjerman të Renanisë, në qendër të audiencës së përgjithshme të Papës, i cili të mërkurën e kaluar pati folur për shën Matildën Hakeborn, ndërsa sot u përqendrua pikërisht në nxënësen dhe miken e besuar të saj, Gertrudën, e cila njihet në histori me emrin “E madhja”.
Benedikti XVI e shfrytëzoi katekizmin mbi mendimin e shenjtes, si rast për t’i nxitur besimtarët ta njohin më mirë Shkrimin e Shenjtë e t’i jetojnë më intensivisht aspektet shpirtërore të fesë, për të arritur kështu në miqësinë me Jezusin e prej këndej, në lumturinë e vërtetë. 30 mijë vetë në sheshin e Shën Pjetrit dëgjuan jetën dhe veprën e murgeshës gjermane të gjysmës së dytë të vitit 1200, mistike, që me bagaxhin e saj kulturor dhe ungjillor ndikoi në mënyrë të veçantë në përshpirtërinë e krishterë, jo vetëm të kohës së saj:
“Është një grua e jashtëzakonshme, e pajisur me talente të veçanta të natyrshme e me dhurata të jashtëzakonshme hiri hyjnor, me përvuajtëri të thellë e zell plot zjarr për shpëtimin e të afërmit, në bashkim intim me Zotin dhe e gatshme të ndihmojë nevojtarët”
Kuvendi i Heftës ishte edhe më parë furrë, ku piqej brumi i kulturës së krishterë, e ku shën Gertruda gjeti vendin e përshtatshëm për studimet e saj, që nga letërsia, muzika, kënga tek arti në miniaturë. E kuptoi se këto aftësi, në të cilat shkëlqeu mbi simotrat e veta, ishin dhuratë e Hyjit, i cili e kishte privilegjuar, por shkruan edhe se pa Zotin, do të ishte sjellë më këto dhurata si pagane:
“Biografia e saj na tregon dy drejtime të atij, që mund ta quajmë ‘kthimi’ i saj i veçantë: ai i studimeve, me kalimin nga studimet humaniste profane në ato teologjike, si edhe ai i jetës murgare, me kalimin nga jeta, që ajo vetë e quan ‘neglizhente’, në jetën e lutjes intensive, mistike, me zjarr të jashtëzakonshëm misionar”.
Një vizion i 27 janarit 1281, shpjegoi Papa, e bën shenjten të kuptojë se studimet nuk janë thjesht dëshirë pagane për të ditur, por janë dhuratë e Hyjit për t’u thelluar në intimitetin me Krishtin. Kështu fillon të studiojë tekstet e shenjta e shpejt bëhet teologe. Jeta e saj e mëpasme, deri në vdekjen në agim të vitit 1300, do të jetë shërbim ndaj të vërtetave të fesë, të përhapura, theksoi Benedikti XVI, me qartësi e thjeshtësi, me hir e forcë bindëse.
Të marrim shembull prej saj, tha Papa, për të mësuar “si ta duam me përvuajtëri e fe Krishtin e Kishën e tij, si ta kultivojmë lutjen tonë personale, si të marrim pjesë me besnikëri në meshën shenjte e si ta jetojmë intensivisht Liturgjinë për të ushqyer shpirtin”. E pikërisht nesër, Ati i Shenjtë kujtoi se bie festa e Zojës së Rruzares:
“Tetori është muaji i Rruzares së Shenjtë, që na fton ta vlerësojmë këtë lutje kaq të dashur në traditën e popullit të krishterë. Ju ftoj, të dashur të rinj, ta lusni përditë Rruzaren. Ju inkurajoj, të dashur të sëmurë, që duke thënë Rruzaren, ta lini me besim vetveten në duart e Zotit. Ju këshilloj, të dashur të sapomartuar, që përmes Rruzares të kundroni vazhdimisht misteret e Krishtit”.
Në fund, Papa përshëndeti Misionarët Oblatë të Zojës së Papërlyer, të mbledhur në kapitullin e tyre të përgjithshëm, duke i ftuar të bashkëpunojnë me bujari në ungjillëzimin e ri. Po kështu u uroi vit të mbarë akademik meshtarëve të Kolegjit Papnor Shën Pali Apostull dhe seminaristëve të Shërbëtorëve të Bamirësisë – Vepra Don Guanela.








All the contents on this site are copyrighted ©.