Më 6 tetor kalendari Kishtar përkujton s hën Brunon, meshtar e murg
(06.10.2010 RV) Bruno lindi në Këln rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales
së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua
profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve
të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II. Në
vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte
njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan
vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin. I
pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet
më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit
nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi,
në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit jetonin në heshtje, në
lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së bashku për të
thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në ditët festive.
Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë
së kopjimit të dorëshkrimeve. Lindi kështu Urdhri Çertozin. Në vitin 1088 Urbani
II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në
vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles,
vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze. Realizoi përsëri idealin
e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës.
Ndërtoi rishtas një eremitazh sipas stilit të atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth
tij u mblodhën shumë shokë. Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar
nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij;
Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak,
ndërsa një vit më parë, Papa Benedikti XVI, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte me
anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan
më 2008, e kujtoi kështu Shën Brunon, 907 vjet pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos,
i shenjtit që festohet sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij
ishte: heshtje e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të
ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky
është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm
e të na shndërrojë plotësisht”.