U paraqit në Vatikan Dita Botërore e Rinisë 2011, laborator i vërtetë i fesë
(05.10.2010 RV)Një “parandjenjë
profetike” e Papës Vojtila, e cila, që prej 25 vjetësh “vazhdon të mrekullojë botën”.
Me këto fjalë e quajti kardinali Stanislav Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët,
fenomenin e Ditëve Botërore të Rinisë, duke folur sot paradite në Sallën e Shtypit
të Vatikanit për Ditën Botërore të Rinisë së vitit 2011, në Madrid të Spanjës. Sëbashku
me të, kjo ditë u paraqit edhe nga kardinali kryeipeshkëv i kryeqytetit spanjoll,
Antonio Maria Rouko Varela dhe ipeshkvi ndihmës i Madridit, imzot Sezar Franko Martinez,
koordinator i përgjithshëm i Ditës Botërore të Rinisë. Një Ditë, që kremtohet në
kohë krize. Një Ditë në epokën e social network, që jeton në muret virtuale të internetit,
ku takohen të rinjtë. Një Ditë, që sfidon relativizmin, duke vendosur Krishtin në
qendër të reflektimeve të saj. Këto janë vetëm disa karakteristika kryesore, që vunë
në dukje organizatorët. Takimi spanjoll i rinisë premton të jetë ai me më shumë pjesëmarrës
ndër takimet e zhvilluara në Evropë. Deri tani janë regjistruar 170 mijë vetë e pritet
të arrijnë në 600 mijë, por organizatorët e dinë mirë se të regjistruarit përfaqësojnë
vetëm 25-30% të të rinjve, që do të jenë në Madrid nga data 11 deri më 21 gusht 2011.
E kardinali Rilko përshkroi me entuziazëm, frytet e Ditëve Botërore të Rinisë: “Sa
shumë persona e kanë ndryshuar jetën! Sa zbulime të rëndësishme e vendimtare për jetën
e të rinjve! Zbulimi i Krishtit: Rruga, e Vërteta e Jeta; zbulimi i Kishës si nënë
e mësuese e si “shoqëri miqsh” (Benedikti XVI) që të përkrah në rrugën e jetës; zbulimi
i Pasardhësit të Shën Pjetrit, si udhëheqje e sigurtë e si shok për t’i besuar. Për
shumë të rinj, Dita Botërore e Rinisë është kthyer në një lloj ‘laboratori të fesë’”. Kjo
ditë, vazhdoi kardinali Rilko, është fotografia e një rinie të ndryshme nga shabllonet
e mediave, e etur për vlera të vërteta, plot krijimtari e fantazi: “Papa ngul
këmbë në faktin se Dita Botërore e Rinisë nuk mund të reduktohet vetëm në një çast
feste. Përgatitja e kësaj ngjarjeje të madhe dhe ndjekja e mëpasme në baritorinë e
zakonshme janë pjesë përbërëse dhe vendimtare në të. Festa, ngjarja në vetvete, është
një lloj katalizatori, i cili lehtëson procesin edukativ, që ka filluar më parë e
vazhdon. Në këtë kuptim, Papa Benedikti XVI sheh në Ditët Botërore të Rinisë përgjigjen
profetike për emergjencën edukative të botës post-moderne”. Ndër numrat e rëndësishëm
të Takimit rinor të Madridit 2011 spikasin 350 meshtarët, që do të mbajnë katekizmin
përgatitor, 100 familjet, që do t’u hapin dyert shtegtarëve, 10 eurot, që u kërkohen
të regjistruarve për një “Fond solidariteti”, i cili do të financojë të rinjtë e vendeve
në zhvillim. Nuk është kërkuar asnjë kontribut nga qeveria, pavarësisht se autoritetet
kanë parashikuar një sërë rrugësh preferenciale për të siguruar funksionimin e mirë
të takimit. E këtu përfshihen edhe lejet e veçanta për ata që vijnë nga vendet e emigrantëve,
si Amerika Latine e Afrika. Siç shpjegoi ipeshkvi ndihmës i Madridit, imzot Sezar
Franko Martinez, i gjithë programi do të përshkohet nga kultura lokale: “Dita
dëshiron të jetë, e kështu duhet të jetë, sipas orientimit të Këshillit Papnor për
Laikët, “spanjolle”. Është e rrënjosur në kulturën dhe në historinë mijëvjeçare të
Kishës së Spanjës…do të ketë karakteristika spanjolle, që do të duken qartë, për shembull,
në Udhën e Kryqit, sepse kemi kërkuar skulpturat e trashëgimisë historike dhe artistike
spanjolle, skulpturat më të mira, që mbahen në procesion gjatë Javës së Madhe në Spanjë”. Është
zvogëluar me 20% kosotoja e regjistrimit, në krahasim me Ditën Botërore të Rinisë
në Sidnej e, siç tha drejtoresha e komunikimit për Madridin, Maria de Jareguizar: “Do
të jetë një Ditë Botërore Rinie e bazuar mbi internetin, që është vendi ku takohen
të rinjtë. I gjithë informacioni e krejt materiali promovues mund të shihet në faqen
zyrtare, në rrjetet shoqërore dhe në videot në youtube”.