2010-10-05 14:03:16

Sot më 5 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Faustinën Kovalska, rregulltaren mistike


Sot më 5 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Faustinën Kovalska, rregulltaren mistike, me të cilën lidhet ngushtë kulti i Mëshirës Hyjnore. Faustina lindi në fillim të shekullit të kaluar e vdiq në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e elterit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.
Pyetje: - u përhap kaq shpejt një kult i tillë?
Përgjigje: Përhapja e madhe e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill 1993, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepse - siç tha Papa Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?
Pyetje: - Ç'të reja sjell misioni i ër Faustinës në këtë kult?
Përgjigje: Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt, Bibël. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga ë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Kujtojmë sidomos nderimin e figurës së Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës për t'ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore. Kujtojmë, sidomos, festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". E së kujtojmë përhapjen e këtij kulti, që sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".
Pyetje: - Pse u vendos të ngrihej shenjtërorja e re, ajo që e shuguroi vetë Papa Gjon Pali II gjatë shtegtimit apostolik në Poloni më 16 deri më 19 gusht 2002?
Përgjigje: - Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, deri pak kohë më parë një kompleks i vogël, ishte e pamjaftueshme për shtegtarët e shumtë që mblidhen atje nga të gjitha kontinentet. Kjo është arsyeja kryesore e ndërtimit të shenjtërores së madhe, tempullit të Mëshirës Hyjnore. Ky tempull, siç ka thënë Papa, është bërë qendër e rrezatimit të karizmës së Mëshirës Hyjnore në të gjithë Kishën.
Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut: kështu pohoi Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos më 30.03.2008. Festa e Mëshirës Hyjnor u caktua pikërisht të dielën e dytë pas Pashkëve, nga Papa Gjon Pali II, gjatë Jubileut të vitit 2000. Ishte dita e shenjtërimit të Apostulles së Mëshirës, shën Faustina Kovalska, prandaj edhe festa mori emrin e Mëshirës Hyjnore. E Papa Racinger shtoi::
“Kur Kishës i duhet të ripohojë një të vërtetë të keqinterpretuar, apo të tradhëtuar, niset gjithnjë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, që njerëzit të kenë jetë e ta kenë me plotësi”.
Mëshira – shpjegoi Ati i Shenjtë Benedikti XVI– është vetë emri i Zotit, fytyra me të cilën ai iu zbulua njerëzimit në Besëlidhjen e Vjetër e më pas, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese.
“Kjo dashuri e mëshirshme ndriçon edhe fytyrën e Kishës, dhe shfaqet si përmes Sakramenteve, në veçanti në atë të Pajtimit, ashtu edhe në veprat e bamirësisë, në ato të bashkësisë e individuale”.
Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën e dashurinë e Zotit për njeriun, vazhdoi Papa, duke kujtuar se “nga mëshira hyjnore, që pajton zemrat, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme”. Benedikti XVI citoi motër Faustinën dhe Papën Gjon Pali II, të cilët ishin që të dy ndjekës të bindur të Jezusit të Mëshirshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.