Sot më 5 tetor kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Plaçidi e Mauri
Plaçidi dhe Mauri, nxënësit më të dashur të Shën Benediktit, u bënë të njohur përmes
një episodi, që tregohet nga Shën Gregori i Madh në veprën e tij ‘Dialogët’. Shën
Gregori tregon sesi një ditë, në sa Benedikti ishte në qelën e tij, Plaçidi u nis
për të mbushur ujë në liqen. Humbi drejtpeshimin e ra në ujë. Në sa po e merrte rrjedha,
duke e shtyrë larg bregut, Abati pa në vegim gjithçka po ndodhte. Thirri atëherë Maurin
dhe e nisi për të shpëtuar sivëllain. E djaloshi u nis vrap, arriti bregun e, pa u
kujtuar fare, filloi të ecte mbi ujërat, si Shën Pjetri në liqenin e Tiberiades e
si shoqëruesit e Zojës së Këshillit të Mirë. Arriti tek Plaçidi, që po fundosej, e
kapi për flokësh dhe e shpëtoi. Vetëm pasi e kishte shpëtuar, u kujtua se kishte ecur
mbi ujëra. Sipas Shën Benediktit, mrekullia ndodhi për shkak të dëgjesës së Maurit,
ndërsa nxënësi ngulte këmbë se kishte ndodhur me ndërmjetësimin e Abatit. Kërkuan
mendimin e Plaçidit, e ai u përgjigj: “Kur ndjeva se po më nxirrnin nga uji, hapa
paksa sytë, pashë mbi kokën time mantelin e abatit e mendova se ishte ai që po më
shpëtonte”. Kaq mësojmë nga shkrimi i Shën Gregorit të Madh, ndërsa në një biografi
apokrife të gjysmës së shekullit IX, lexojmë se Mauri u dërgua nga mësuesi i tij në
Francë, ku themeloi manastirin benediktin të Glanfëj në Anzhu e ku edhe vdiq, pasi
bëri shumë mrekulli. Të dhënat për jetën dhe vdekjen e Shën Plaçidit janë edhe
më të pakta. Disa biografë shënojnë se vdiq i martirizuar nga saraçenët në Sicili.