Gjermani: Zyrtarët nuk japin hollësi për pesë gjermanët e vrarë në Pakistan.
(05.10.2010 RV)Zyrtarët gjermanë nuk pranuan të japin hollësi lidhur me sulmin
me raketa të amerikanëve kundër talebanëve fshehur në Pakistan, gjatë të cilit u vranë
edhe pesë shtetas gjermanë. Ndërkaq, shërbimi informativ amerikan bëri të ditur se
një bërthamë terroriste e përbërë nga shtetas gjermanë dhe britanikë është në veprim
për të kryer atentate në kryeqytetet evropiane. Televizioni publik gjerman ARD, njoftoi
se katër nga pesë gjermanët e vrarë janë me origjinë turke. Nga ana tjetër, ministri
i brendshëm i Berlinit Thomas de Maziere, deklaroi se gjithnjë e më shumë gjermanë
po shkojnë në Afganistan dhe Pakistan për “stërvitje si terroristë”. “Madje një numër
i madh i tyre është kthyer dhe jeton në Gjermani.” përfundoi ministri i brendshëm
gjerman.