Barcelonë: përfundon Takimi XXIV ndërkombëtar për paqën e Shën Egjidit.
(05.10.2010 RV)“Barcelona tregoi se nuk ka kontradiktë ndërmjet shoqërisë laike
dhe shekullare, ndërmjet modernitetit dhe impenjimit fetar”. Kështu i përkufizoi përfundimet
e Takimit të 24 ndërkombëtar për Paqën që u mbyll në Barcelonë, bashkësia e Shën Egjidit.
Në konferencën përfundimtare për shtyp, u vu në dukje se si fetë, të cilat për vjet
më radhë janë treguar me gisht si shkaktare konfliktesh, tani shihen si një mundësi
për paqe të vërtetë. Prej këndej edhe mesazhi se kush përdor emrin e Zotit për të
justifikuar dhunën e tradhëton Atë. Dialogu nuk është një fjalë retorike, dhe Barcelona
tregoi konkretizimin e dialogut pjekur në këndvështrimin shpirtëror. Kryetari i Shën
Egjidit, Marco Impaljaco shpjegoi në një konferencë për shtyp përfundimet e këtyre
tri ditëve punime. “Në këto çaste krize ekonomike, në të cilat dhuna ende vërshon,
dialogu është shumë i dobishëm. Duhet të kuptojmë se duhet të ecim përpara pa u përkulur”,
- shpjegoi Impaljaco. Evropiani sot është bërë më i ngurtë por më pak i fortë. Duket
se forcën e gjen më shumë tek kundërvëniet sesa tek reflektimi. Bashkësia e Shën Egjidit
është e mendimit se evropianit të zakonshëm duhet t’i japë atë forcë që do të burojë
pikërisht nga rizbulimi i rrënjëve të tij. “Këtu në Barcelonë,- vazhdoi Impaljaco,
- kuptuam më mirë jo vetëm se kush jemi por edhe se si të jetojmë me të tjerët. Dhe
për të ripohuar faktin se ka nevojë për vende ku mund të jetohet, ku dialogu mund
të shfaqet, sepse evropianit të sotëm i mungon pasioni për dialog”. Bashkësia e Shën
Egjidi përpiqet ta mbajë lart këtë pasion, pikërisht siç ka vepruar në këto 24 vjet,
duke krijuar një rradhë të gjera burrash e grashë me fe e kulturë të cilët sa vijnë
e shtohen.