2010-10-04 07:10:11

Rubrika kushtuar Shëmbëlltyrave: shëmbëlltyrat duhen studiuar.


Në emisionin e 15-të e të fundit të rubrikës, kujtojmë kryesisht se shëmbëlltyrat duhen studiuar me vëmendje të madhe. Në dukje krejt të lehta për t’u kuptuar, nganjëherë janë krejt hermetike. Fshehin mendime tejet të thella, të ngarkuara me mister, nganjëherë krejt hermetike. Rikujtojmë se, sipas mendimit të shumicës së studiuesve, shëmbëlltyrat në ungjijtë sinoptikë duhet të jenë rreth 40. Por përveç shëmbëlltyrave të ungjijve kanonikë, duke shfletuar ungjillin e Tomës, mund të lexojmë edhe 14 të tjera: dhjetë, të ngjashme, por jo të njëllojta, me shëmbëlltyrat sinoptike; katër, krejt të veçanta, që i përkasin vetëm këtij ungjilli, shkrim gnostik 1 në gjuhën kopte, përkthyer nga greqishtja e zbuluar në Nag Hamadì të Egjiptit.
Mendohet se ky ungjill i përket shekullit IV, ndërsa teksti grek duhet të jetë shumë më i lashtë. Ka mundësi të jetë shkruar që në shekullin II pas Krishtit. Madje disa nga studiuesit më në zë të ungjijve, mendojnë se shkrimi mund t’i përkasë shekullit I pas Krishtit. Por, për shumicën, duhet të jetë shkruar pas ungjijve sinoptikë. Madje hartuesi i tij, duhet të jetë mbështetur mbi këta ungjij, duke shtuar edhe dhjetë shëmbëlltyra, të cilat i mori nga ungjijtë sinoptikë ose nga burime gojore, duke u dhënë një kuptim të mirëfilltë gnostik. Kujtojmë, për shembull, shëmbëlltyrën e deles së humbur: “Mbretëria i ngjet një bariu, që kishte njëqind dele. Njëra prej tyre, më e dhjamura, i humbi. Ai la të nëntëdhjetë e nëntat e u vu ta kërkonte, derisa e gjeti. Kur gjithçka u krye, i tha deles: ‘Të dua më shumë se të nëntëdhjetë e nëntat” (Ev. Thom. 107). Në këtë shëmbëlltyrë delja e humbur përfaqëson gnostikun, që ka humbur e që Jezusi dëshiron ta shpëtojë, ngaqë e do më fort se të gjithë, për vlerën e tij, pikërisht sepse është gnostik, njeri i cili e di se është qenie hyjnore, e di prej nga vjen (nga Hyji Atë) e ku shkon ( tek Hyji Atë) e prandaj vlen më shumë se gjithë të krishterët e tjerë.
Siç e kujtuam që në fillim të kësaj rubrike, në Ungjijtë sinoptikë shëmbëlltyrat kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe, por shumë shpesh janë vërtet të vështira për t’u kuptuar. E këtë e tregon më së miri fakti se ekzegjetë të ndryshëm i shpjegojnë shëmbëlltyrat në mënyra të ndryshme.
Për t’i shpjeguar drejt, së pari duhet kujtuar se nuk janë përralla, që shërbejnë për t’i dhënë njeriut një mësim për jetën e përditshme përmes ca figurave kryesore, që nuk sillen gjithnjë sipas natyrës së tyre.
Nuk janë as fjalë të urta, nga të cilat dallohen, ndonëse shpesh brenda këtyre të fundit, gjejmë mugullin e shëmbëlltyrës, si në shembujt e mëposhtëm, shkëputur nga Libri i Fjalëve të Urta e ai i Siraçidit:
“Si mollët në një kanistër argjendi,
janë fjalët e thëna në kohën e duhur”(Fu 25.11).
“Mik i ri, verë e re,
që në moshë të shtyrë do ta pish me kënaqësi” (Sir 9.10).
Vërejmë se në shumicën e rasteve, në ndryshim nga shëmbëlltyrat, fjalët e urta shprehin një të vërtetë, pa përdorur asnjë lloj similitude:
“Kali bëhet gati për ditën e betejës,
po shpëtimin e jep Zoti” (Fu 21, 31).
Ka qortim që nuk është i përshtatshëm,
e vërejtje, që nuk bën mirë.
Kush hesht, tregon maturi” (Sir. 20,1).
Shëmbëlltyra nuk është as mit, në të cilin fondi e forma shkrihen aq, sa të krijohet ideja se po dëgjon një legjendë të lashtë, së cilës tashmë i ka humbur fare kuptimi i parë.
E, së fundi, shëmbëlltyra nuk duhet ngatërruar në asnjë mënyrë me alegorinë, sepse nuk është metaforë e zhvilluar, por krahasim, që shtrihet në gjithë zhvillimin e veprimit. Për më tepër, alegoria ka nevojë për një shpjegim, që vjen nga jashtë, ndërsa shëmbëlltyra e ka kuptimin në vetvete. Mund të themi se është një dramë, plot gjallëri e ngjyrime, buruar nga fantazia lindore, që e nxit dëgjuesin ta ndjekë rrëfimin deri në fund.
Duhet, prandaj të heqim dorë nga mendimi, shpesh i zakonshëm, se shëmbëlltyrat janë të lehta për t’u kuptuar nga të gjithë. Ndërsa për të hyrë në kuptimin e tyre të vërtetë, duhen studiuar. Pa dyshim, kush e lexon Ungjillin, ndriçohet nga drita e Shpirtit Shenjt; por kjo nuk e përjashton aspak nevojën e studimit ekzegjetik të vëmendshëm, të bërë me kujdes e për një kohë të gjatë. Detyrë e cila u takon posaçërisht atyre, që kumtojnë, në emër të Kishës, Fjalën e Zotit.
___
1 Kujtojmë se gnosticismi është një lëvizje filozofike-fetare, që u përhap sidomos gjatë shekujve II e III pas Krishtit. Vetë fjala ‘Gnósis’ do të thotë ‘Njohje’. Është, pra, “doktrinë e shëlbimit, përmes njohjes” domethënë, njohjes së mistereve të universit e zotërimit të formulave magjike, që të hapin dyert e kësaj njohjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.