2010-10-04 07:01:41

Paqja, liria e kultit dhe dialogu ndërfetar, ndër sfidat e Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme


“T’i jepet vizibilitet maksimal Kishës Katolike në këtë rajon kaq të rëndësishëm për historinë e krishterimit, i cili që prej 2000 vjetësh përshkohet nga tensione, konflikte, probleme fetare e politike”: kështu e shpjegon qëllimin e Sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, imzot Nikola Eteroviç, Sekretar i Përgjithshëm i tij, në një intervistë për faqen e internetit www.terrasanta.net. Kujtojmë se sinodi do të mbahet në Vatikan nga data 10 deri më 24 tetor.
Imzot Eteroviç flet për risitë e kësaj Asambleje të veçantë, ku arabishtja do të jetë një nga gjuhët zyrtare. Sipas prelatit, do të kujtohet edhe roli i letërsisë arabo-siriane jo vetëm në traditën e Kishave lindore, por edhe në formimin e kulturës arabe. Bashkësitë e krishtera arabe – thotë sekretari i Sinodit – përfaqësojnë një urë të natyrshme me Islamin.
Temë tjetër është ajo e edukimit fetar, ku do t’u rezervohet një rol i veçantë të rinjve. Është e rëndësishme që ata të njohin Biblën, si Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe atë të Re. Kjo do të pasqyrohet edhe në dialogun me hebraizmin, tjetër objektiv i Sinodit, sëbashku me dialogun e vështirë, por të nevojshëm, me Islamin.
Ndër sfidat që të krishterët duhet të përballojnë në këtë zonë, Sinodi do të diskutojë atë të mungesës së lirisë së fesë, e cila ndikon drejtpërdrejt në dëshmimin e Ungjillit. “Shpresojmë – thotë imzot Eteroviç – që të arrihet paqja në drejtësi e që Sinodi të jetë një hap përpara në këtë drejtim. Nëse jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit, jemi edhe veprimtarë të paqes. Të krishterët, pavarësisht se pakicë, mund të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në ndryshimin e mentalitetit, duke filluar nga pajtimi i zemrës me Zotin e me të afërmin e nga ndërtimi i një rajoni paqësor. Pavarësisht se Sinodi nuk ka qëllime politike – përfundon imzot Eteroviç – nuk mund të mos flasim edhe për përmirësimin konkret të gjendjes tejet të vështirë, që përjetojnë të krishterët në shumë vende”.







All the contents on this site are copyrighted ©.