2010-10-04 17:02:13

Papa në Palermo: “Mafia është rrugë vdekjeje”. Në Kapaçi, nderon gjykatësin e vrarë nga mafia, Xhovani Falkone


(04.10.2010 RV)Kanë kaluar 17 vjet nga thirrja historike e Gjon Palit II në Agrixhento: “Mafiozë, kthehuni! Një herë vjen gjyqi i Zotit!” Fjalë, që në vitin 1993, lanë shenjë të pashlyeshme në Siçilinë e shokuar nga vrasja e gjykatësve Falkone dhe Borselino. Fjalë, që dje pasdite, u dëgjuan sërish me forcë në sheshin Politeama të Palermos, kur Papa Benedikti XVI u bëri thirrje të rinjve të mos tundohen nga mafia:RealAudioMP3
“Sëbashku, do të jeni si një pyll që rritet, ndoshta në heshtje, por i aftë të japë fryte, të sjellë jetën e të përtërijë thellë tokën tuaj! Mos bini në tundimin e mafies, që është rrugë e vdekjes, e papajtueshme me Ungjillin, siç kanë thënë e thonë shpesh Ipeshkvijtë tuaj!”
Mëse 200 mijë vetë erdhën dje nga e gjithë Siçilia në Palermo, për të ndjekur vizitën 10 orëshe të Papës Racinger. Një vizitë, gjatë së cilës Papa përmendi martirët e vrarë nga mafia, por jo vetëm ata, të cilët ua dha të rinjve si shembull jete në shoqërinë bashkëkohore: atë Pino Puljizi, famullitari i Brankaçios, vrarë nga mafia më 1993, por edhe gjykatësi Rozario Livatino, për të cilin ka filluar çështja e lumnimit; adoleshentja Kiara Badano, vdekur nga tumori në moshën 19 vjeçare dhe e ngritur në nderimet e elterit para një jave, për të përfunduar me gjykatësin Falkone. Në fakt, gjatë rrugës së kthimit në Romë, Papa deshi të ndalej jashtë programit, në Kapaçi, për të vendosur një tufë lulesh e për t’u lutur në vendin ku u hodh në erë makina e gjykatësit dhe e rojeve të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.