2010-10-04 16:58:34

Papa ipeshkvijve të Brazilit: Kisha nuk është në garë me përvoja të tjera feje, detyra e saj e vetme është të shpallë Ungjillin


(04.10.2010 RV)Të rizbulohet përgjegjësia e thellë e çdo të pagëzuari në shpalljen e Ungjillit, në vend që të kufizohemi vetëm në studimin e metodave të reja për ta bërë sa më “tërheqës” mesazhin e Krishtit. Këtë u tha sot Benedikti XVI ipeshkvijve të Brazilit, të cilët i priti në Vatikan, gjatë vizitës së tyre ad Limina.RealAudioMP3
Një vështrim i mprehtë mbi problematikat më aktuale të ungjillëzimit, në zemër të Amazonës, në një territor prej 2 milion km katrore. Nëse njerëzit mund të shëlbohen përmes rrugëve të tjera, falë mëshirës së Zotit, u shpjegoi Papa ipeshkvijve, nuk është e mundur të shëlbohemi, nëse për shkak të neglizhencës, të frikës, të turpit apo të ndjekjes së ideve të rreme, u pengojmë atyre shpalljen e Ungjillit:
“Nganjëherë ndodhemi para kësaj kundërshtie: imponimi i së vërtetës, edhe nëse është e vërteta e Ungjillit, imponimi i rrugës, edhe nëse është rruga e shpëtimit, nuk është tjetër veçse dhunim i lirisë fetare. Me kënaqësi përmend fjalët e drejta të Papës Pali VI: ‘Do të ishte sigurisht gabim t’i imponohet diçka ndërgjegjes së vëllezërve tanë. Por nëse kësaj ndërgjegjeje i propozohet e vërteta e Ungjillit dhe shëlbimi i Jezu Krishtit krejt qartë e duke respektuar lirinë e zgjedhjes…kjo nuk është atentat kundër lirisë fetare, por është homazh, që i bëhet asaj”.
Si bëhet ky ungjillëzim, që nuk imponohet, e cilët janë njerëzit, që i përgjigjen kësaj sfide? Papa, duke folur për këtë mision, dha një përgjigje të vlefshme për të gjitha ato vende, ku duhet përhapur Fjala e Krishtit:
“Sfidat e kontekstit aktual mund të sjellin një vizion të reduktuar të konceptit të misionit. Ai nuk mund të kufizohet në një kërkim të thjeshtë të teknikave e mënyrave të reja për ta bërë Kishën më tërheqëse, në gjendje të fitojë garën me grupe të tjera fetare, apo me ideologjitë relativiste. Kisha nuk funksionon për vetveten: është në shërbim të Jezu Krishtit, ekziston për ta bërë Lajmin e Mirë të afërt me të gjithë njerëzit”.
Misionit, përfundoi Benedikti XVI, nuk i mungojnë forma të jashtme për t’u paraqitur. Duhet të kujtojmë se ai ushqehet nga një burim më i thellë, që është Eukaristia.








All the contents on this site are copyrighted ©.