2010-10-04 08:28:59

Historia e françeskanëve në Shqipëri


Shën Françesku i Asizit, themelues i Urdhrit Françeskan, lidhet ngushtë edhe me historinë e Shqipërisë. Në këtë këndvështrim po e kujtojmë sot Shenjtin e madh të Asizit, duke sintetizuar fillimet e misionit të bijve të tij, Françeskanëve në tokë shqiptare.

Pyetje: - Si fillon historia e françeskanëve në Shqipëri?
Përgjigje: - Dihet se historia e françeskanëve në Shqipërí zë fill me një gojëdhënë. Sipas saj, vetë Shën Françesku në vitin 1219 u ndal në Lezhë. Këtu, në anën e djathtë të Drinit, ku sot janë kodrat e Marlekës dhe Kisha e quajtur e dom Lleshit, e rrënuar nga komunizmi dhe e rindërtuar, mori një shkop pishe. E mbajti me vete deri në Venedik. Si mbërriti në qytetin italian, atje ku sot është Kuvendi i Shën Françeskut "al Deserto", e nguli në dhe. Shkopi, mrekullisht, lëshoi rrënjë dhe në pak kohë u rrit e u bë pishë vigane. Për shekuj me radhë përshpirtëria e vendasve e ruajti ketë dru si kujtim e dëshmi të Shenjtit të Madh të Asizit dhe e pagëzoi me emrin "Pisha e Shën Françeskut".
Gojëdhëna, e ruajtur me kujdes, e njëjtë si ndër në shqiptarët, ashtu edhe ndër banorët e Venedikut, është mjaft e vjetër dhe e përsëritur nga të gjithë historianët e nga ata që merren me zanafillën e françeskanëve në Shqipëri. Në një letër, të cilën e dërgon misionari piçenas, Atë Bonaventura ab Acquaviva, nga fillimi i 1800-shit, thuhet se ky françeskan e gjeti gojëdhënën në një dorëshkrim të ruajtur në kuvendin e Lezhës dhe u mbështet në të për të vërtetuar - sipas shënimit të tij - se veprimtaria apostolike e të bijve të Shën Françeskut në viset e fiset shqiptare, zë fill që në vitet e para të Urdhrit Françeskan.
Natyrisht gojëdhëna mbetet gojëdhënë dhe vlera e saj historike është e kufizuar, aq më tepër mbasi kurrnjë nga biografët e Shën Fançeskut nuk e përmend pushimin e Shenjtit në tokën shqiptare gjatë udhëtimit për a nga Orienti.
Por duhet të kujtojmë edhe se asnjëri nuk e kundërshton faktin se Shën Françesku mund të jetë ndalur për një pushim të shkurtër në brigjet e Shqipërisë e, veçanërisht në ato të Lezhës, mbasi ky qytet aso herët ishte nën administratën dhe sundimin e Venedikut e Shenjti udhëtonte me mjete detare të kësaj Republike.

Pyetje: - Kur hesht gojëdhëna e nis të flasë historia e françeskanizmit në Shqipëri?
Përgjigje: - Të gjithë historianët e françeskanizmit në Shqipëri përmendin si datë të nguljes të bijve të Shën Françeskut në këto vise vitin 1240. Ky pohim mbështetet në një rrasë të vendosur mbi derën e Kishës françeskane të Lezhës, në të cilën lexohet: "Hoc templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL = Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël u ndërtue në vjetin 1240". Rrasa në fjalë është e shkruar latinisht, por sipas dëshmisë së Pater Lorencit nga Santa Croce, i pari që e përmendë ketë rrasë, origjinalja qe në gjuhën greqishte. Pater Lorenci qe Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë në vitin 1720 dhe në ketë kohë, duke përshkruar një dokument të arkivit historik të kuvendit të Lezhës, shënon tekstualisht: "Provinça e Françeskajëve të Shqipnisë asht nji nder ma të vjetrat e Urdhnit të Fretënve, si shifet nga themelimi i Kuvendit të Shën Mërisë në Lezhë, përtej Drinit, në ballin e Kishës së cilit gjindet endë sot ky mbishkrim latin, i përkthyem nga një tjetër grekisht".
Katër vjet para kësaj date, në vitin 1236, Papa Gregori IX , në një letër drejtuar Eprorit të Dominikanëve të Romës, duke iu lutur që t’i dërgonte disa rregulltarë prej urdhrit të tij si inkuizitorë në kryedioqezën e Tivarit, dëshmon se në viset e këtij dioqeze së voni kanë shkuar edhe disa rregulltarë të tjerë. Papa nuk i cilëson me emër se kush ishin këta rregulltarë, por sipas të gjitha gjasave, duhet të kenë qenë Françeskanët, mbasi përhapja e këtyre dy Urdhrave të rinj në Ballkan e gjetiu, është gati gjithmonë e gjithkund e njëkohshme.
Data, e cila s' lë kurrfarë dyshimi historik mbi ardhjen e Françeskanëve në Shqipërí është viti 1248. Në këtë vit Inoçenci IV dërgon si Argjipeshkëv të Tivarit françeskanin Gjonin De Plano Carpini me detyrë që të kishte në kujdes dioqezat e Shqipërisë së Veriut e të Serbisë si dhe drejtimin e sivëllezërve të vet, që grindeshin në ato vise - kështu shkruan historiani Fabianich.

Pyetje: - Ku jetuan në fillim bijtë e Shën Françeskut?
Përgjigje: - Duke mos e marrë parasysh epigrafin e Kishës së Lezhës, që shënon si banim të parë të Françeskanëve kuvendin e kishën e këtij qyteti në vitin 1240, mbasi ky dokument nuk është krejt i sigurt historikisht, dhe duke pas vërtetuar se françeskanët para a rreth kësaj date, së paku që prej vitit 1249 e mbrapa u shpërndanë në krahinat arbënore, duhet të themi se në fillim të Bijtë e Shën Françeskut jetuan ndër shtëpitë private të besimtarëve, duke kaluar nga një vend në tjetrin, si kudo në Evropë. Të parat banesa të mirëfillta të Françeskanëve në viset shqiptare i gjejmë në një dokument të vitit 1283. Këtu përmenden me sigurí kuvendet e Fretërve në Tivár, në Ulqin e në Durrës, kuvende këto që i përkisnin Kustodisë së Raguzës. Në vitin 1288 ndeshemi në një kuvend tjetër në Shkodër dhe në një kuvend të dytë, në Tivar, të dy të ndërtuar nga bujaria e përshpirtëria e mbretëreshës së Serbisë, Helenës dhe motrës së saj, Maria de Chau.
Si shihet nga ç' thamë më sipër, vendet ku ngulën Françeskanët më së pari në Shqipërí qenë, pa dyshim, Tivari, Ulqini, Durrësi e Shkodra, në se mendojmë që rrasa në kishën e Lezhës është e mëvonshme se data 1240.

Pyetje: - Ç’kombësi patën françeskanët e parë që ngulën në trojet shqiptare?
Përgjigje: - Nuk është për t'u çuditur në se Françeskanët e parë në Shqipëri, si në krahinat tjera të Evropës, qenë me kombësí italiane. Urdhri Françeskan u themelua nga Shenjti i Madh i Asizit e prandaj edhe të bijtë e tij të parë qenë nga Italia. Ajo që të bën përshtypje edhe sot në shpërndárjen e Françeskanëve në botë, është ideja gjeniale e Shën Françeskut për misione e për misionarë vendas. Pa tjetër që në vitet e para të Françeskanizmit në Shqipërí, Fretërit e parë gjetën ndër vendas dëshirtarë e ndjekës të jetës së varfër të Themeluesit. Emrat e këtyre Françeskanëve vendas nuk i dimë. Dimë vetëm se në qindvjetorin e parë të Françeskanizmit në Shqipërí (1219-1939) Fretërit i dhanë dioqezave shqiptare 11 ipeshkvij e argjipeshkvij. Është për t'u nënvizuar edhe fakti se në vitin 1402, pra 62 vjet mbas themelimit të të parit kuvend në Lezhë, Françeskanët e Shqipnisë ndahen nga nënshtrimi i Kustodisë së Raguzës dhe marrin emër e vetsundim kombëtár, duke u quajtur Kustodia e Durrësit. Nën këtë Kustodí ishin Durrësi vetë me krahinë për rreth, Shkodra, Ulqini e Tivari. Pak mbrapa, duke qenë shtuar kuvendet e fretërve në brendí të Shqipërisë, Kustodia e Durrësit u shndërrua në provincë që mori emrin Provinca e Maqedonisë, mbasi kështu njihej aso here krahina e Matit ose mesi i Shqipërisë së sotme. Shekulli në të cilin gjindemi tashti, dmth shekulli XIV, përbën kohën e artë të Françeskanizmit ndër shqiptarë. Vërtetohet që më se 37 qendra ishin vendbanime të Françeskanëve e se fretërit në këtë shekull ishin aq shumë me numër, sa të mbushnin me françeskanë shqiptarë deri kuvendet e nevojat e Raguzës e të Dalmacisë. Mjafton të kujtojmë se në kohën e murtajës, rreth vitit 1396, Guardiani i Kuvendit të Raguzës e vetë Kustodi i kësaj kustodie qenë nga Shkodra, ashtu si shkodranë qe dhe Guardiani i Zarës. Kah mbarimi i shekullit XIII përmendet Fra Deda nga Shqipëria (Domenicus Albanensis) i cili, duke pasur në farefis shumë princa të krahinave të Shqipërisë së mesme dhe duke pas fituar famë për zotësí e dije, ishte i ngarkuar nga Selia e Shenjte e Romës, dhe në këtë drejtim veproi me sukses, për të kthyer nga Ortodoksia shumë princër e për t'i mbajtur besnikë të Romës tjerët, që shikonin me simpatí nga Kostantinopoja. Në vitin 1395 përmendet Fra Nikolla nga Samërishi (Nicolaus de Samarixi) i Shkodrës, profesor fort i ndritur i teologjisë e si i tillë, i dërguar nga Gjergji I Balsha bashkë me dy vëllezër të tjerë fretër, për t'ia dorëzuar Venedikut dy qytetet e Shkodrës e të Drishtit asaj Republike, me shpresë se kështu do të shpëtoheshin nga kërcënimet turke. Kur kështjella e Shkodrës, Rozafa, në vitin 1405 u rrethua nga hordhitë turke, një françeskan shqiptár, Patër Françesku nga Shkodra, mbrojti qytetëzën dhe kështjellën nga forcat otomane dhe me trimërinë e tij e me armë në dorë, e çliroi nga rrethimi. Venediku, në shenjë mirënjohjeje, e propozoi si ipeshkëv të Drishtit, gjë që Selia Shenjte e Papa e pranuan. Se ç' rol luajtën Françeskanët shqiptarë në kohën e Skanderbeut e më pas, dihet prej të gjithëve.
(Ky material nga Atë Danjel Gjeçaj OFM)







All the contents on this site are copyrighted ©.