2010-10-04 07:01:04

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Kundër dënimit me vdekje”


Kohët e fundit është folur shumë për dënimin me vdekje, si për rastin e dënimit të Sakines, gruas iraniane të akuzuar për tradhëti bashkëshortore, ashtu edhe për rastin e gruas amerikane, Tereza Ljuis, që u ekzekutua për arkitektimin e vrasjes së të shoqit e thjeshtrit, pavarësisht se u vërtetua se ishte e sëmurë mendërisht. Në një editorial plot pathos, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi e ngre zërin kundër dënimit me vdekje, që i privon njerëzit nga jeta, pa u lënë atyre mundësi të kthejnë rrugë. Ta dëgjojmë:
“Jam kundër dënimit me vdekje.
Nuk e dua as në Kinë, as në Iran, as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as në Indi, as në Indonezi, as në Arabinë Saudite, në asnjë vend të botës.
Nuk e dua as me vrasje me gurë, as me pushkatim, as me prerje koke, as me varje, as me rrymë elektrike, as me një gjilpërë vdekjeprurëse. Nuk e dua as të dhimbshme, as pa dhimbje. Nuk e dua as në publik e as fshehtas.
Nuk e dua as për gratë, as për burrat; as për personat me të meta fizike, as për të shëndoshët.
Nuk e dua as për civilët, as për ushtarakët; nuk e dua as në paqe e as në luftë.
Nuk e dua për atë që mund të jetë i pafajshëm, por nuk e dua edhe për fajtorët.
Nuk e dua për homoseksualët. Nuk e dua për ato që tradhëtojnë bashkëshortin. Nuk e dua për askënd.
Nuk e dua as për vrasësit, për mafiozët, për tradhëtarët e për tiranët.
Nuk e dua për hakmarrje, e as për t’u çliruar nga të burgosur të rrezikshëm e të kushtueshëm e madje, as për mëshirë, siç thuhet nganjëherë.
Pasi kërkoj një drejtësi më të madhe! E duhet ecur në këtë rrugë për ta pohuar gjithnjë e më tepër, në të mirë të të gjithëve, dinjitetin e njeriut e të jetës njerëzore, të cilën nuk mund ta përdorim si të duam. Siç thotë Katekizmi i Kishës Katolike, duke cituar Papën Gjon Pali II, sot, për shtetet, rastet e nevojës absolute për t’u hequr jetën fajtorëve, që të mos bëjnë më dëm “janë shumë të rralla, e madje, praktikisht të paqena” (n. 2267). Le t’i bëjmë plotësisht të paqena. Është njëqind herë më mirë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.