2010-10-02 10:25:41

Atë Bernardin Palaj OFM në përvjetorin e lindjes.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë përvjetorin e lindjes së Atë Bernardin Palajt, françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, folklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si "shkolla letrare e fretërve".
Atë Bernardini lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku.. Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.
U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit.
Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda" (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj.
Si shpërblim për të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një ditë ogurzezë të vitit 1948 u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë.
Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht prof. Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të.
Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe.
Në vitin 2006 Atë Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë të martirizuar nga komunizmi për t’u lartuar në nderimet e elterit!







All the contents on this site are copyrighted ©.