2010-10-01 16:06:15

U hap në Kapaçi takimi i familjeve dhe i të rinjve në pritje të vizitës së Papës në Palermo


(01.10.2010 RV)Palermo përgatitet për vizitën e Papës, që do të shkojë në qytetin siçilian të dielën. Sot, në Kapaçi, pranë Palermos, filloi takimi kishtar rajonal i familjeve dhe i të rinjve, që më pas do të takohen me Benediktin XVI.
Janë dy ditë diskutimesh e konfrontimesh, që akoma ndjejnë jehonën e fjalëve të Gjon Palit II, i cili në fjalimin e famshëm të Agrixhentos, iu drejtua mafiozëve të Siçilisë: “Kthehuni! Një herë vjen gjyqi hyjnor”. Tema e takimit, në të cilin marrin pjesë 1.100 vetë, e pasqyron këtë jehonë: “Vështrimi i guximshëm…për edukimin e shpresës”. Drejtësia e ligjshmëria, ambienti, puna, shkolla dhe universiteti, qytetaria aktive: të gjitha tematika, që bazohen në praninë e fesë në jetën e përditshme e që nënvizojnë rëndësinë e Kishës në territor. Por cilët janë meshtarët e ardhshëm të Kishës siçiliane? Folëm për këtë me rektorin e Seminarit të Palermos, imzot Rafaele Mangano:
Profili i meshtarëve të ardhshëm është profili i atyre që dhurojnë jetën dhe e dorëzojnë veten në duart e Zotit për t’u shërbyer vëllezërve në fe. Nuk ka asgjë të re. Kështu ka qenë edhe në të kaluarën. Ndryshon vetëm gjendja aktuale, pasi sot jetojmë në një shoqëri, që shkon përpara, sikur Zoti të mos ekzistonte. Vështirësia për meshtarët e ardhshëm është se ndeshen pikërisht me këtë botë indiferente e asaj, i duhet çuar dashuria. Mendoj se edhe më indiferentëve, nëse u shpall dashurinë, arrin t’ua ndryshosh jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.