2010-10-01 16:05:49

Papa ipeshkvijve evropianë: promovoni familjen, jetën dhe lirinë e besimtarëve, duke i ruajtur nga intoleranca dhe diskriminimi


(01.10.2010 RV)“Të nxitet në bashkësitë kishtare impenjimi i nevojshëm në favor të çlirimit të besimtarëve nga intoleranca dhe diskriminimi dhe në favor të familjes e të mbrojtjes së jetës njerëzore”: kështu shkruan Papa në mesazhin për Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që u hap dje në Zagreb, me temë “Demografia dhe familja në Evropë”. Siç ju kemi njoftuar, në të merr pjesë edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita. Në mesazh, Benedikti XVI i fton ipeshkvijtë të vazhdojnë punën për ungjillëzimin e ri të kontinentit.
Në fjalimin, që hapi konferencën, presidenti i ipeshkvijve evropianë, kardinali hungarez Peter Erdë lajmëroi formimin e një Observatori mbi diskriminimin e të krishterëve në Evropë. Të dëgjojmë vetë kardinalin në mikrofonin tonë:
Ka raste diskriminimi si në nivelin e institucioneve, ashtu edhe në nivelin e administrimit të disa vendeve. Natyrisht, ka fenomene shqetësuese në mas media, që justifikojnë shfaqjen e diskriminimeve kundër të krishterëve, kundër bashkësisë së krishterë. Në kontinent, kemi situata të ndryshme nga njëra-tjetra. Edhe ne, ipeshkvijtë, e kemi për detyrë të informohemi mbi jetën, mbi problemet e katolikëve të tjerë e të krishterëve të tjerë të kontinentit.
Observatori është pra, edhe mjet ndihme për institucionet…
Sigurisht, pasi para së gjithash duhet parë situata, situata e Evropës ku jetojmë, situata e katolikëve dhe e të krishterëve për çdo vend. Ka edhe gjendje emergjence, ku ndërhyrja e institucioneve mund të zgjidhë një problem, që dukej i pazgjidhshëm për katolikët e atij vendi.
Tema qendrore e Plenares së ipeshkvijve është “Demografia e familja”. Ç’mund të na thoni për këtë?
Si çdo vit, bëmë një punë kërkimore për të përcaktuar temën qendrore të takimit tonë. Arritëm kështu në një kuadër të plotë, impresionues, pasi tregon se ekuilibri në popullsinë e Evropës varet nga emigracioni masiv. I ashtuquajturi fertilitet natyror mbulon më pak se një të tretën e numrit të nevojshëm për sigurimin e ekuilibrit.
Sa e rëndësishme është në këtë drejtim dëshmia e përbashkët e të krishterëve në Evropë, pra dialogu ekumenik?
Është e rëndësishme sidomos për të ndikuar në sjelljen e njerëzve dhe të politikanëve. Kisha Katolike me të gjitha Kishat ortodokse ka një qëndrim të përbashkët përsa i përket familjes. Prandaj, kemi nevojë ta riungjillëzojmë Evropën e kështu, ta shpëtojmë ndoshta edhe nga pikpamja demografike, këtë kontinent.







All the contents on this site are copyrighted ©.