2010-09-30 13:14:51

Çelësi i fjalëve të Kishës: "familja"


(30.09.2010 RV)Të dashur dëgjues, sapo ka filluar në Zagreb, Takimi i ipeshkvijve evropianë mbi temën “Demografia dhe familja në Evropë”. Në këtë konferencë, siç ju kemi njoftuar në emisionet tona, merr pjesë edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita. Kisha shqetësohet për rënien e numrit të lindjeve dhe për dobësimin e institucionit të familjes në kontinentin e vjetër. Por ç’është “familja” për të krishterët? Kësaj pyetjeje do t’i japim përgjigje sot, duke u nisur, si gjithnjë, nga Shkrimi i Shenjtë.

Nëse do të kërkonim në Bibël diçka për familjen, duhet të fillonim nga Libri i Zanafillës, ku thuhet se “imazhi” hyjnor i njerëzimit është i lidhur me faktin se ai është krijuar nga një mashkull e një femër: “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet; e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër”. Aftësia riprodhuese e çiftit e bën atë të ngjashëm me fuqinë krijuese të Zotit. Nga ky parim rrjedh rëndësia e “shtëpisë” (“bajit” në hebraisht), që s’është tjetër veçse familja. Ajo, në konceptimin patriarkal të atëhershëm, shihte tek burri jo vetëm atë që mban shtëpinë, por edhe atë që ka të drejtë të urdhërojë gruan e fëmijët. Në të vërtetë, Bibla i jep të drejta të barabarta burrit e gruas, siç shihet në pjesën e Zanafillës që cituam, por edhe në Këngën e Këngëve, për shembull.
Themelor, është pastaj, urdhërimi i katërt i Urdhërimeve të Tënzot: “Nderoje babën tënd e nënën tënde, që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë, që do ta japë Zoti, Hyji yt” (Dal 20,12). Nderimi nuk ka të bëjë vetëm me prindërit, por edhe me krejt të afërmit e klanit patriarkal. Prandaj, rebelimi kundër prindërve ndëshkohet rëndë, siç dëshmon historia tragjike e Asalonit, bir i Davidit (2 Ps 13-19). Njëlloj, dënohet ashpër çdo atentat kundër unitetit familjar, siç rezulton nga legjislacioni i rreptë biblik kundër thyrjes së kurorës dhe inçestit. Megjithëse Izraeli i lashtë e njihte të drejtën e divorcit, urdhërimi i gjashtë e dënon “thyrjen e kurorës”, ndërsa në kapitullin e dytë të Zanafillës ngrihet në qiell çifti që bëhet “një trup i vetëm” (Zan 2,24), në një bashkim dashurie e dëshire për të pasur fëmijë.
Praktika e lashtë e poligamisë dalëngadalë do të lihej mënjanë, siç dëshmon Kënga e Këngëve dhe Beslidhja e Re. Lidhjet e ngushta brenda familjes kthehen kështu, në simbol, për të përshkruar veprën e Zotit ndaj birit të tij të parëlindur “Izraelit” (Dal 4,22), siç këndon profeti Ozea (kap. 2 e 11). Solidariteti ndërmjet anëtarëve të një bashkësie familjare shprehej edhe përmes institucionit të “go’el”-it, apo “shëlbuesit”: kushëriri më i afërt, në linjën e babait në rastin e birit, duhej të ndihmonte të afërmin e vet nëse binte në skllavëri ose e gjente ndonjë e keqe tjetër. Për këtë arsye, vëllai merrte për grua edhe të kunatën, kur kjo mbeste e vejë e pa fëmijë, për t’i dhënë vëllait të vdekur një fëmijë, që të ruante emrin dhe kujtimin e tij.
Ndërsa në Besëlidhjen e Re, familja përshkruhet përmes “Familjes së Nazaretit”, me misterin që ruante brenda saj, por edhe me jetën e përditshme, ku kishte probleme e punë e lodhje. Nga njëra anë, Jezu Krishti këshillon të nderohet familja e të mbahet gjallë martesa (Mt 19,3-9), por, nga ana tjetër, tregon se thirrja e krishterë mund të kërkojë edhe një sakrificë familjare për t’iu kushtuar plotësisht mbretërisë së Hyjit (Mt 10,34-37; Lk 9,59-62). Ai vetë, 12 vjeçar, i tha Marisë e Jozefit në tempull se kishte një mision tjetër për të kryer, të ndryshëm nga ai në familjen e vet tokësore (Lk 2,48-50).
Është shën Pali Apostull, ai që na jep kode të shumta morale për sjelljen brenda familjes: mjafton të lexojmë, për shembull, Letrën drejtuar Efesianëve (5,21-33). Për ta përfunduar këtë kuadër të vogël të familjes biblike, ju propozojmë fjalët e ëmbla të Psalmit 128: “Lum njeriu që e druan Zotin, që ecën udhëve të Tija! Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh! Gruaja jote: vresht plot fruta në dhomat e shtëpisë sate; djemtë e tu: pinjoj ulliri përreth tryezës sate!”







All the contents on this site are copyrighted ©.