2010-09-30 14:52:23

Papa kthehet në Vatikan nga rezidenca verore e Kastel Gandolfos. Përshëndetja me personelin e Vilave Papnore


(30.09.2010 RV)Papa u kthye sot pasdite në Vatikan nga rezidenca e Kastel Gandolfos, ku kaloi gati gjithë verën, si edhe muajin shtator. Dje, Benedikti XVI u përshëndet me personelin e Villave Papnore të qytezës laciale. Në veçanti, falenderoi drejtorin e tyre, Saverio Petrilo dhe kujtoi festën e sotme liturgjike të Shën Jeronimit, doktor i Kishës në shekullin IV, i cili – tha Papa – vuri në qendër të jetës së vet, Biblën. Vërtet, “Vulgata” e famshme, që përdoret edhe sot e kësaj dite nga të krishterët, është përkthimi në latinisht i Biblës nga Shën Jeronimi, shembulli i të cilit, na fton të dëgjojmë Fjalën e Zotit e ta zbatojmë në jetën e përditshme:
“Ky doktor i shquar i Kishës thoshte se “të injorosh Shkrimet e Shenjta, do të thotë të injorosh Krishtin”. Prandaj, për çdo të krishterë është themelore të jetojë në kontakt e në dialog personal me Fjalën e Zotit, që na është dhuruar në Shkrimin e Shenjtë, duke e lexuar jo si fjalë të së kaluarës, por si Fjalë të gjallë, aktuale, që na drejtohet sot”.
Çdo i krishterë – vazhdoi Papa – është i thirrur ta pranojë e ta jetojë përditë, me thjeshtësi e gëzim, Fjalën e së vërtetës, që na ka komunikuar Zoti:
“Secili mund ta njohë e ta përvetësojë gjithnjë e më thellë Fjalën e Zotit, nxitje e burim i jetës së krishterë në të gjitha situatat e për çdo njeri. Virgjëra e Shenjtë është model i këtij dëgjimi të bindur: mësoni prej Saj!”







All the contents on this site are copyrighted ©.