2010-09-29 07:09:07

Më 29 shtator kalendari Kishtar përkujton Kryeengjëjt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin.


(29.08.2010 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi tre Kryeengjëjt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, Bibël, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve. Kulti i kryeengjëllit Mikel apo Mihill fillon që në shekujt e parë të historisë së krishterimit. Perandori Kostandini ngriti për nder të tij një shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën evropiane, ndërsa Justiniani - një shenjtërore tjetër në bregun e përtejmë.
Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Në Romë iu kushtua mauzoleu i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.
Me njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe radioja e Vatikanit e përgjithësisht, puna jonë si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit, duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon e pa internet - mjete për të cilat Kryeengjëjt s’kanë fare nevojë, natyrisht - është Pajtori ynë qiellor dhe i të gjithë atyre që janë të impenjuar në fushën aq të rëndësishme të komunikimit.
Duke marrë shtytjen nga festa e sotme e Shenjtorëve Kryeengjëj, Mikelit, Rafaelit e Gabrielit, Kisha kujtoi se secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit. Ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.
Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta. Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor.
Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë smjaft të përhapur ndër shqiptarë, madje Shën Mikeli, është i njohur edhe si Shën Mhilli.







All the contents on this site are copyrighted ©.